
Në Bjellorusi ka nisur raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, njoftoi agjencia shtetërore e mediave Rusia 24.
Vendndodhja për këtë takim nuk është bërë e ditur. Raundi i parë i bisedimeve u mbajt më 28 shkurt, dhe i dyti më 3 mars, të dyja u zhvilluan në Bjellorusi.
Ndërkohë, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov dhe ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba do të takohen të enjten në Antalia, Turqi, sipas ministrisë së jashtme ruse. Kjo ende nuk është konfirmuar nga Ministria e Jashtme e Ukrainës.
Kujtojmë se më herët zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov deklaroi se Rusia do të ndalte ‘operacionin ushtarak’, nëse Ukraina do të plotësonte kushtet e tyre që përfshinin ndryshimin e kushtetutës së saj për të ruajtur neutralitetin, njohjen e Krimesë si territor rus dhe njohjen e republikave separatiste të Donetskut dhe Luganskut si shtete të pavarura.
Peskov tha se "nuk ishte e vërtetë" që Rusia po kërkonte dorëzimin e kryeqytetit Kiev.
“Ne me të vërtetë po e përfundojmë çmilitarizimin e Ukrainës. Ne do ta përfundojmë atë. Por gjëja kryesore është që Ukraina të ndërpresë veprimet e saj ushtarake. Ata duhet të ndalojnë aksionin e tyre ushtarak dhe më pas askush nuk do të qëllojë.”
Tiranapost.al