Prokuroria federale e Gjermanisë nis hetime për krime lufte në Ukrainë
Prokuroria federale e Gjermanisë ka hapur një “hetim strukturor” për krimet e luftës që dyshohen se janë bërë nga trupat ruse që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës.
Lajmi është konfirmuar nga zyra e prokurorit për CNN.
“Zyra e Prokurorisë Federale ka hapur një të ashtuquajtur hetim strukturor në lidhje me konfliktin e armatosur ndërkombëtar midis Rusisë dhe Ukrainës”, thuhet në deklaratën dërguar CNN.
"Ka të dhëna konkrete se mund të jenë kryer krime lufte, në veçanti ato që përfshijnë përdorimin e metodave të ndaluara të luftës kundër civilëve ukrainas si dhe objekteve civile," thuhet në deklaratë.
Hetimi strukturor nuk synon të dyshuar të veçantë, tha prokurori federal i Gjermanisë në Karlsruhe, por ai të mbledhë prova për krimet e dyshuara dhe të identifikojë strukturat pas tyre. Provat më pas mund të përdoren në procedurat penale të ardhshme kundër të dyshuarve individualë.
Në të kaluarën, Gjermania ndoqi penalisht disa herë mizoritë e kryera jashtë vendit, përfshirë krimet e luftës në Siri. Në janar, një gjykatë gjermane dënoi një ish kolonel të ushtrisë siriane me burgim të përjetshëm.