Lajme nga Bota

Si po ndikojnë sanksionet te jetesa e rusëve?

Si po ndikojnë sanksionet te jetesa e rusëve?

Në Moskë, pjesa më e madhe e rusëve janë të shqetësuar.

Pushtimi i Ukrainës, për të cilin Kremlini këmbëngul se është “operacion special ushtarak”, ka sjellë sanksione perëndimore të cilat po godasin rëndë ekonominë.

Ndikimi tek rusët e zakonshëm po ndihet tashmë. Monedha ruse, rubla, ka rënë në vlerë dhe çmimet për një gamë të gjerë mallrash dhe shërbimesh po rriten me shpejtësi - duke përfshirë këtu edhe udhëtimet jashtë vendit.

Udhëtimi në vende të huaja tani është shumë më i vështirë. SHBA, BE dhe të tjera vende kanë mbyllur hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë. Mijëra rusë të rinj dhe të arsimuar janë larguar nga vendi, pasi nuk janë dakort me pushtimin e Ukrainës dhe kanë frikë nga ajo që i pret në vendin e tyre.

Disa supermarkete të mëdha ruse kanë kufizuar numrin e produkteve që njerëzit mund të blejnë. Në një dyqan madje varej një njoftim ku thuhej: 'Vetëm një qese 5 kg sheqer për person'. Qeveria thotë se kjo është për të kufizuar marrëveshjet në tregun e zi dhe inflacionin.

Edhe lista e kompanive perëndimore që tërhiqen nga Rusia rritet gjithnjë e më shumë. Në qendrat tregtare në qendër të Moskës, shumë dyqane perëndimore janë mbyllur, të tjerat nuk mund të pranojnë pagesa me kartë.

Para pushtimit, Moska ishte një nga qytetet më të avancuara teknologjikisht dhe ishte pozicionuar mirë midis vendeve më të fuqishme në botë – me një sistem të klasit të parë të shërbimeve të transmetimit, pagesave në internet, shërbimeve teknologjike dhe dixhitale. Përdorimi i parave kash ishte i rrallë. Por duke qenë se kompani si Apple, Visa dhe Netflix kanë kufizuar shërbimet ose janë mbyllur në Rusi, edhe këto shërbime janë ndalur.