Opinion

Fantazma e Milan Kunderës, i zhdukur vullnetarisht

Fantazma e Milan Kunderës, i zhdukur vullnetarisht

Nga Anais Ginori/ Ndodh t’i shohësh të kalojnë si hije në bulevardin Raspail. Një burrë i gjatë e i thinjur dhe një grua e vogël me siluetë djaloshare. “Dy trupa po aq tronditës sa jeta e tyre e mundimshme ndër shekuj dhe kufij, dy shokë të lidhur shpirtërisht dhe të mbështjellë nga i njëjti fat, të dënuar për të jetuar dhe për të vdekur në magji”, shkruan Ariane Chemin në librin “À la recherche de Milan Kundera”.

Shkrimtari çek dhe gruaja e tij Vera janë fantazma në Ville Lumière. Edhe sot në citofonin e apartamentit parizien emri i një romancieri tjetër dhe i një përkthyesi islandez shërbejnë për të ngatërruar kuriozët e mundshëm. Miqtë e besuar, të cilët janë të paktë dhe mes tyre është filozofi Alain Finkielkraut, shkrimtarja Yasmina Reza dhe intelektuali Christian Salmon, e dinë se për të marrë përgjigje në telefonin fiks duhet të japin një sinjal të koduar: fillimisht një zile, pastaj dy. Në takimet e rralla në grup, shkrimtari kërkon që të mos bëhen fotografi. E vetmja që mund ta fotografojë është gruaja, me të cilën ka ndarë gjithçka në gjysmë shekullin e fundit.

Prej tridhjetë e shtatë vitesh Milan Kundera është “zhdukur vullnetarisht”, siç shkruan Chemin në rrëfimin e çmuar dhe të ndarë mes investigimit dhe pelegrinazhit sentimental, i cili sapo është botuar në Francë nga “Éditions du sous-sol”.

Eklipsi i shkrimtarit ndodhi në valën e suksesit botëror të “Lehtësia e Padurueshme e Qenies”. “Jam në mbidozë me veten time”, i rrëfeu romancieri mikut të tij Christian Salmon. Intervista me Bernard Pivot gjatë “Apostrophes”, është hera e fundit që ai ia ka lejuar vetes të jetë në qendër të vëmendjes. Në atë vit, më 1984, Chemin ishte përpara ekranit të vogël. “Një të premte mbrëma të janarit, unë zbulova sytë e tij blu dhe fjalët e plogështa në televizion”, kujton autorja që ishte njëzet vjeç dhe ishte magjepsur nga ky romancier i ardhur nga i Ftohti, i mbrujtur nga heshtja dhe kaq ndryshe nga zhurma vezulluese e viteve tetëdhjetë.

Gazetares, një ndër emrat e rëndësishëm të “Le Monde”, i lindi një ëndërr: të takonte një ditë Milan Kunderën. E kishte parë nga larg çiftin në rrugët e kryeqytetit, por pa guxuar asnjëherë t’i afrohej. Si t’i afrohesh dikujt që ka bërë gjithçka për t’iu vjedhur realitetit? Por dy vite më parë Chemin u vu në gjurmët e “të zhdukurit vullnetarisht” për një seri shkrimesh për gazetën franceze. Nga Praga në Korsikë, nga Renë në Bohemi, iu desh të bënte manovra të gjata për t’iu afruar, deri sa më në fund arriti një takim me Vera Kunderën në një lokal. “Jetët tona nuk kanë asnjë interes”, e paralajmëroi gruaja e shkritmarit, që e quan bashkëbiseduesen e saj “agjente 007” duke treguar se ka një marrëdhënie të ndërlikuar me mediat edhe pse bëhet fjalë për botën nga vjen. Në vendin e saj ajo ishte një nga gazetaret më të famshme të televizionit, ishte ajo që njoftoi drejtpërdrejt pushtimin e tankeve ruse në 1968.

Më pak e njohur është gruaja e parë e Kunderës, Olga Haas, bijë e kompozitorit që ra viktimë e Holokaustit. Edhe ajo, tregon Chemin që e ka takuar në Brno, në qytetin e lindjes së Kunderës, ka lidhur një pakt heshtjeje me ish-bashkëshortin. Në Republikën Çeke, autorja e librit për Kunderën ka perceptuar një mungesë dashurie ndaj shkrimtarit që në vitin 1975 zgjodhi të arratisej ndryshe nga intelektualë të tjerë. “Vaclav Havel bëri burg dhe u bë president, Kundera iku në Francë dhe u bë shkrimtar”, është një prej batutave që qarkullon mbi krenarinë kombëtare. Kundera humbi nënshtetësinë gjatë diktaturës dhe e rimori vetëm tre vite më parë nga kryeministri Andrej Babiš. Oligarku anti-sistem shkoi në Paris për të pajtuar shkrimtarin me vendin e tij. Pa arritur ndonjë sukses të dukshëm.

Në Pragë nuk ka më gjurmë të Kunderës në Bartolomjská, në rrugën ku banonte çifti përpara se të arratisej. Edhe fakulteti i kinematografisë ku shkrimtari jepte mësim në vitet ’60 nuk ka menduar ta nderojë. “Vendi i tij i lindjes e shpërfill, të rinjtë nuk e kanë lexuar”, shkruan në librin e saj Chemin që ka hulumtuar edhe dosjet e policisë sekrete që përndiqte Kunderën, duke e pagëzuar me epitetin elitar. “Është i fiksuar pas teorisë së elitarizmit”, shkruanin spiunët e regjimit. Autorja ka hetuar edhe mbi rastin Dvoáek, rastin e një të riu opozitar që u përjashtua në vitin 1950 dhe sipas disa mediave lokale është denoncuar nga Kundera. Një gjest denoncimi që i ngjan atij të protagonistit te “Valsi i lamtumirës”.

Chemin ka verifikuar vërtetësinë e dokumenteve, ka krahasuar leximin e bërë nga historianët, pa arritur në një përfundim të qartë. Sigurisht që artikujt për çështjen Dvoáek dhe botimi i një biografie aspak lajkatuese e bindën çiftin Kundera se rikthimi në atdhe nuk do të ishte më i mundur asnjëherë. "Është e tmerrshme për mua të di se do të vdes këtu", tregon Vera e cila, duke u argëtuar në lojën kukafshehtesi me gazetaren, përfundon duke qenë në qendër të librit. Vetëm një herë autorja dëgjon shkurtimisht zërin e shkrimtarit në telefon, para se gruaja e tij të rimerrte kontrollin.

Në një Europë që identifikohet me ndjenjën e nostalgjisë, sipas një përkufizimi të famshëm të Kunderës, edhe marrëdhënia me Francën bëhet diçka torturuese. Shkrimtari mori nënshtetësinë në vitin 1981 dhe nisi të shkruante në frëngjisht për “Gallimard”, por në fund të viteve ’90 në kritikën letrare u shfaqën zëra armiqësorë. “Identiteti” u kritikua nga gazeta të ndryshme, çifti më pas shkëputi marrëdhëniet me disa intelektualë. Për t’u hakmarrë, Kundera zgjodhi t’i botonte fillimisht në Spanjë dhe në Itali romanet e tij të fundit “Mosdija” dhe “Festa e parëndësisë”.

Shkrimtari që sot mbush 92 vjeç ka kryer ndryshime në veprat e tij të përmbledhura në “Pléiade”. Jashtë saj mbeti puna e një përkthyesi me të shkuar të dyshimtë, jashtë mbeti edhe një parathënie e Aragon sepse ishte “shumë politike”. Poezitë rinore përfunduan në kosh. Shkrimtari adhuron të citojë një frazë të Floberit: “Artisti duhet t’i bëjë pasardhësit të besojnë se nuk ka jetusar”. Çifti, që nuk pati fëmijë, tashmë del rrallë nga shtepia e fshehur në fund të një rruge pa dalje, pranë kopshteve të Luksemburgut. Drita pak herë futet në apartament. Grilat mbeten të mbyllura në atë që Vera e quan “burg”.

*Artikulli është publikuar në Tiranapost.al në 2021 dhe u përkthye në shqip nga Erjon Uka.