Opinion

Sot e ka ditëlindjen At Zef Pllumi. Një shënim për burrin as të djathtë e as të majtë, por të drejtë

Në 96-vjetorin e lindjes së Zef Pllumit një pyetje pa përgjigje: përse në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të botuar nga Akademia e Tiranës mungon emri i njërës prej viktimave më prominente të regjimit komunist dhe publicistit më të shquar të postkomunizmit shqiptar?

Sot e ka ditëlindjen At Zef Pllumi. Një shënim për burrin as

Nga Enver Robelli/ Sot e ka ditëlindjen At Zef Pllumi. Ndonëse në vitin 2007 ai u nda nga kjo botë, vepra e tij mbetet një jehonë buçitëse në ndërgjegjen e çdo shqiptari. Me kryelibrin e tij, me kryeveprën e tij “Rrno vetëm për me tregue” Zef Pllumi dha një kontribut të pakrahasueshëm në tregimin e historisë së vërtetë, të dhimbshme, brutale të Shqipërisë nën sundimin komunist.

Zef Pllumi u lind më 28 gusht 1924 në Malin e Rencit (Lezhë). Në vitet 1943-1944 bashkëpunoi me revistën “Hylli i Dritës” dhe u zgjodh sekretar personal i At Anton Harapit, në atë kohë Provincial i françeskanëve në Shqipëri. Si dinjitar i Kishës Katolike Zef Pllumi kaloi gati tri dekada në burgjet e skëterrshme të komunizmit shqiptar. Mbijetoi burgjet e Shkodrës, Spaçit, Ballshit e Zejmenit etj. Ishte 22 vjeç, kur më 14 dhjetor 1946, u arrestua dhe dënua me tre vjet burg. Në vitin 1967 u arrestua sërish dhe vuajti 23 vjet burg. Sapo doli nga burgu më 1989, iu përkushtua punës së tij si meshtar e publicist, shkroi për të kaluarën që s’kalon kurrë dhe për dhimbjet e Shqipërisë në tranzicion, ku ndërrohen njëri pas tjetrit pushtetarët batakçinj të dirigjuar nga klasa e oligarkëve.

Zef Pllumi nuk ngurroi të kritikojë fenomenet e këqija të “demokracisë jofunksionale” shqiptare. Ai nuk ishte as i djathtë, as i majtë – ishte i drejtë. Dhe si i tillë tehu i kritikës së tij u drejtua si kundër demokratëve të papërgjegjshëm ashtu edhe kundër socialistëve që edhe sot gjejnë arsyetime për krimet komuniste dhe në radhët e veta mbajnë edhe zyrtarë të aparatit represiv të diktaturës.

Zef Pllumi dhe vepra e tij ende nuk e gëzon mirënjohjen dhe kujdesin e duhur nga shteti, institucionet kulturore, shkencore dhe nga mediat. Në Fjalorin Enciklopedik Shqiptar të vitit 1985 mungon emri i Zef Pllumit. Dhe kjo nuk është befasi, sepse në atë kohë ai ishte shpallur “armik i kombit”. Por skandalet s’kanë të ndalur: edhe në Fjalorin e ri Enciklopedik Shqiptar të botuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë nga viti 2008, emri i Zef Pllumit nuk gjendet askund. Por nuk mungon një shënim në Fjalorin Enciklopedik për aktivisten antifashiste Ollga Plumin, e cila më 1945 u zgjodh nënkryetare e parlamentit dhe u rendit menjëherë pas Enver Hoxhës për nga numri i votave. Sigurisht nuk ka gjë të keqe që në Fjalorin Enciklopedik përmendet edhe Ollga Plumi, por pse nuk përmendet Zef Pllumi? Lëshim? Gabim? Anashkalim i qëllimshëm? Nuk mungojnë në këtë fjalor shënime për “plugun” dhe Pllajën e Shishtavecit, por për Zef Pllumin s’ka vend.

Me gjasë është e shkruar që punë të hairit të bëhen vetëm me ndihmën e të huajve. Kësisoj, sipas një njoftimi në Facebook, në Tiranë, me përkrahjen e qeverisë zvicerane, qenkësh botuar nga Qendra Orbis si audio libër vepra “Rrno vetëm për me tregue”, lexuar nga aktori Jurgen Marku. Shënime të tjera është vështirë të gjenden, nuk ka ndonjë njoftim shtesë, prezantim apo kritikë të këtij audio libri, as nuk është e qartë se ku mund të porositet ky audio libër. Këtë pjesë të punës është dashur ta kryejnë shqiptarët.

Ndërsa nuk ka arsyetim për injorimin e Zef Pllumit, më së miri t’i japim fund këtij teksti me dy citate të gjata nga veprat e autorit. I pari flet për “Trobojnicën” e Jugosllavisë në Shkodër, i dyti mbi virusin e përçarjes ndër shqiptarë.

(1) “Menjiherë filluen të shpërndahen fjalë: kanë vra X-in o Y-in; ose për tjerë që ishin zhdukë pa shenj, pa nishan. Kush ishte kryetar i kësaj qeverije? Filloi me u përmendë emni i Enver Hoxhës, deri atëherë krejt i panjoftun për popullin e Shqipnisë së Veriut. Gjatë muajit dhetor u vendos pushteti i rí i Shqipënisë, që nuk kuptohej mirë nëse ishte ushtarak apo civil: të gjithë ishin të mëdhenj e kurrkush nuk kishte gjâ në dorë, përveç komandantëve partizanë, nga mâ të ndryshmit, të cilët ishin vendosë kush në nji shtëpi, kush në nji tjetër. (...) Shkodra u mbush me brigada partizane dhe çuditej se na erdhën aq shumë ushtarë sa nuk kishin pasë as ushtritë e hueja! Partizanët thoshin se kishin ardhë për të ndjekë gjermanin deri në Berlin, por ishin pa këpucë ndër kambë. Në përgjithësi ishin njerëz me të cilët nuk mund të flitej, me sjellje të këqija: hajshin bukën e përmbysshin kupën. Shumë ushtri të hueja kish pá Shkodra, por si këtë kurrnji jo. Menjiherë mbas asaj dite të 29 nandorit 1944 në rrugën Shkodër-Podgoricë filloi qarkullimi si kurrë mâ parë, në nji kohë që komunikacioni me Tiranën ishte tepër i vështirë për shkak të prishjes së urave, ndër të cilat filluen me u vendosë trapa lundrues e roje partizane. Kështu malazezë e shqiptarë qarkullojshin mes vedit pa kufi. Kush ishte sundimtari i vërtetë i Shqipërisë? Përgjegjen e jepte ‘trobojnica’. Flamujt e shumte trengjyrësh jugosllavë valëviteshin ne çdo rrugë, në çdo ndërtesë shtetnore e në çdo shpi. Ku u gjetën aq shpjt e aq shumë ata flamuj që populli i kqyrte me inat, sepse shenjojshin nji robni të ré të kombit shqiptar! Posa u hapën shkollat, ndër të gjitha, pa përjashtim, erdhën me mësue që të këndohej Hymni i atij flamurit, të huej: ‘Ei sllovenski joshte zhivi’, ‘ço bajrak ne vije’, ‘zhivi zhivi jugoslovenski’ si dhe ‘Ide druzhe Tito preko Albanie... preko Albanie...’ (Unë nuk e dij as kuptimin e tyne, as se si shkruhen, por kështu m’kan metun në vesh qysh n’atê kohë me gjithë meloditë e tyne). Hymnet tona të flamurit nuk u ndigjojshin mâ.”

(2) “Thuhet se n'ujë të turbullt gjuhet shumë peshk. Kur shqiptari fitoi lirinë, i hueji lëshoi grepin e përçamjes për me zanë shqiptarin.

Ku ishte shqiptari? Ndër katër vilajete. Turku e dinte mirë se për me zotnue Shqipninë e vetmja rrugë ishte përçamja. Ai e vuni re këte që në ditën e parë që e ndeshi fati i historisë me këte popull ku u shquen dy burra: Gjergj Kastrioti Skanderbeg, nji rebel që kërkonte ndihmë në Perëndim, dhe strategu i madh Ballaban Pasha që ra shahit nën muret e Krujës. Trupin e tij e çuen në Petrelë të Tiranës. Aty i ndërtuen nji tyrbe të madhe ku filluen me u falë shqiptarët e me i ndezë qirat.

Ndërkaq ndër gërxhe të maleve lahuta filloi me i këndue Gjergj Elezit.

- Gjergj Aleksit, ushtarit që vrau Ballabanin. Turku dhelpnak e pa se shqiptari, edhe i ndamë dysh, ishte nji rrezik, prandej e ndau katërsh.

Në katër vilajete të turkut njisia e shqiptarit. E kështu gjatë shekujve u vranë mes vedit kush për Bushatllinjtë e Shkodrës o për Begollajt e Pejës; kush për Ali Pashën e Janinës o për Manastirllitë, ndërsa turku bante sehir me spahijtë e vet”.