Politikë

Këshilla e Astrit Patozit për Jozefina Topallin në prag të shpalljes së Partisë

Këshilla e Astrit Patozit për Jozefina Topallin në prag të

'Lëvizja për Ndryshim' quhet projekti i ri politik të cilës do ti bashkohet ish numri 2 i Partisë Demokratike. Jozefina Topalli nuk ka dhënë shumë detaje në një intervistë të fundit, por pritet që të mërkurën të prezantohet i plotë ky projekt.

Pas këtij lajmi, ka reaguar Astrit Patozi i cili i drejtohet përmes me këshilla Topallit, ku mes tyre i kërkon modestisht: Të mos humbë kohë duke iu përgjigjur sulmeve. Patozi e ka fjalën për sulmet që vijnë nga opozita. Sipas tij për shkak se opozita mendon se zonja Topalli tashmë po hyn në ‘territorin e tyre’.

Lexojeni të plotë postimin e kreut të Bindjes Demokratike, Astrit Patozi:

THJESHT DUHEN INJORUAR, JOZEFINA!

Mund të bësh çfarë të duash Jozefina, parti, lëvizje, shoqatë, grupim, koalicion, aleancë etj dhe je në të drejtën e Zotit. Edhe në të drejtën tënde, sigurisht, si një ndër personalitetet e forta të Partisë Demokratike në vite, por edhe të së djathtës në përgjithësi.

Vetëm një gjë do ta kisha këshilluar modestisht të mos e bëje: që të humbje kohë, duke u marrë me stalinistët e fundit në Europë, të cilët veçse të bëjnë nder duke të sulmuar.
Nuk pretendoj t'i njoh sa duhet ish-republikat e largëta sovjetike sot, por jam i sigurt se në kontinentin tonë nuk gjenden të dytë si këta shakaxhinjtë e Republikës së Re.

Ata e dinë se opozita është pronë dhe ti je duke i hyrë në oborrin e tyre, ndaj dhe kanë frikë se mund t'u marrësh ndonjë copë. Nuk kanë faj, se të tillë e kanë parë shembullin nga i pari i tyre në gjithë këto vitet e fundit. Por tek e fundit, janë të sinqertë në këtë çështje.

Edhe në Shqipëri nuk kanë mbetur të tjerë që ta mendojnë politikën kaq vjetërsisht sa këta. Madje as tek ata që trashëguan Partinë e Punës, që përmbysëm në 1990-ën. Të cilët janë aq të mençur sa të mos e konsiderojnë tradhtar Ilir Metën, megjithëse ka më se 15 vjet që po ua nxin jetën, sepse me sa duket e kanë mbledhur mendjen që jetojmë në një sistem të ri, edhe pse nuk e kanë dashur, madje ende mund të mos e duan.

Që të mos zgjatem me këtë temë të pakëndshme, këta janë të vetmit "pronarë" në botë, që tërbohen pasi marrin vesh se personi, që kanë larguar nga ndërmarrja e tyre, ka mundur të gjejë një punë tjetër.
Dhe si unikalë që janë në marrëzinë dhe injorancën e tyre, ata duhen mëshiruar dhe injoruar.