Pse humbi PD? Aleksandër Frangaj zbulon sondazhin e papublikuar: Basha vlerësohej më pak se Rama, Meta 80% negativ

Pronari i TV Klan Aleksandër Frangaj sqaroi dje në mbrëmje se e priste humbjen e PD në këto zgjedhje dhe për këtë e ka një përgjigje. Frangaj zbuloi për herë të parë që ka bërë një sondazh të porositur bashkë me Blendi Fevziun tek kompania e njohur “Trafalgar Group”, e cila e nxori Bashën humbës. Sipas Frangaj, Basha dilte me pëlqyeshmëri më të vogël se Rama e për rrjedhojë edhe do humbte zgjedhjet. Një tjetër arsye sipas këtij sondazhi, Frangaj sqaroi se Basha mori dhe koston e aleancës me Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën.
“Në sondazh ti (Blendi Fevziu) e di shumë mirë dhe Shkullaku që Edi Rama është disa pikë mbi kryetarin e PD si pëlqyeshmëri publike. Si mundet një kryetar opozita që e ka pëlqyeshmërinë personale më të ulët se kryetari do fitojë? Nëse ti je më pak i pëlqyer, si do e mundësh atë që është më i pëlqyeri?
Për sa kohë ishte në koalicion me LSI dhe Ilir Metën nuk kishte asnjë shans. Strategjia e Ramës ka ardhur si pasojë e sondazheve ku njeriu më negativ ishte Ilir Meta me 80 për qind. Nga ana tjetër Lul Basha nuk dilte negativ. Lulzim Basha si individ kishte një pëlqyeshmëri, por jo negativitet si Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi. Dhe Edi Rama duke e parë që kishte një kovë... s’po ia them emrin dhe Lulin, i bëri bashkë. Vota për Lulin është votë për Ilirin. Dhe pjesa gri nuk guxuan të votojnë Bashën. Kam bindjen se LSI ka qenë goditje shumë e madhe për mosfitoren e Lulit”, u shpreh Frangaj.