Librat e Arlindës

Pse është e lumtur Arlinda?!

Botuesja Dudaj këtë herë vjen ndryshe me blogun e saj. Është aq e lumtur për botimin në shqip për herë të parë të Pier Paoli Pasolini sa nuk e merrni me mend. Dhe me të drejtë. Kushdo që e ka lexuar në gjuhë të huaj e kupton përmasën e rëndësisë së kësaj ngjarje letrare. Këtë herë Arlinda ka vendosur që në vend të shënimit të saj të sjell një pasthënie.

Ishte aq e bukur pasthënia e Alessandro Leogrande sa desha ta ndaj me ju lexues. Unë besoj që një gjë që është thënë më parë në plotësinë e së bukurës nuk ka nevojë për shtesa. Kështu që gjykova që edhe ju miq të librit dhe me shpresë edhe të këtij blogu ta lexoni me të njëjtën uri. Kam vetëm një falenderim për përkthyesin Shpëtim Kelmendi që ka bërë jo një punë të mirë por art.

Ju uroj lexim të këndshëm. Nga unë, Arlinda!

Djem jete dhe një Jetë e Dhunshme

Kur në vitin 1955, Pier Paolo Pasolini boton romanin e tij të parë, Djem jete, kishte vetëm pak vjet që ish transferuar në Romë. Për të, që vinte nga Friuli, takimi me Romën përbën një zbulim progresiv të një qyteti-botë të sedimentuar përgjatë shekujve, një qytet-gjuhë në të cilin do të kridhej, do të gremisej, për të dalë sërish në sipërfaqe me dëshirën e të rrëfyerit. Dëshira për të rrëfyer Romën, hirin e saj, shpërbërjen e saj, njerëzit e saj dhe gumëzhimën e saj, mbushullon tërë veprën e ?të huajit? Pasolini (i huaj sa i përket metropolit, e po ashtu edhe sa i përket normave zyrtare të kulturës italiane të kohës). Dhe e mbushullon deri në fund, deri në vitin e vrasjes së tij, që ndodhi saktësisht njëzet vjet më vonë, më 1975.

Nga pikëpamja letrare, Djem jete përfaqëson periudhën zanafillore të kësaj dëshire për të rrëfyer qytetin e përjetshëm. Po cilën Romë vendos të rrëfejë Pasolini? Jo Romën e qendrës së monumenteve, jo Romën e politikës, jo Romën e borgjezisë e të bumit ekonomik që fillon të sendërtohet pikërisht në gjysmën e viteve pesëdhjetë. Pasolini vendos të rrëfejë (pasi qaset në mënyrë njerëzore ndaj saj) Romën e periferisë, Romën e nënproletarëve të përjashtuar nga historia.

Djem jete rrëfen një univers që gumëzhin nga jeta që vorbullon rreth personazhit të Riçetit, një çunak që rritet në një periferi romane të kohës mes fundit të Luftës së Dytë Botërore dhe fillimit të viteve pesëdhjetë, me bashkëmoshatarët e tij. Bota pasoliniane e romanit Djem jete duket e shkëputur nga bota e të rriturve dhe e ligjësive të tyre, a thua se i ndan një kufi i prerë. Është një botë që bën jetën e saj, një botë në të cilën puna (të paktën deri në njëfarë pike të romanit) dhe ?vlerat borgjeze? të shprehura nga shtresa mbizotëruese e shoqërisë, mungojnë krejtësisht. Këta çunakë duken të pushtuar nga një uri atavike, nga dëshira për të jetuar e shijuar gjithë çfarë mund t?u ofrojnë ato fragmente qyteti që ata shkelin. Jetojnë ditë pas dite, pa u shqetësuar fare për të nesërmen. Kur ia dalin mbanë, e shuajnë atë uri atavike (që duket sikur i ka paraprirë edhe vetë ardhjes së tyre në këtë botë) duke organizuar vjedhje të vogla, për shembull duke vjedhur materiale gize, për t??i çuar te shitësit e rrangullave e për t?i shpenzuar pastaj menjëherë ? çelembyll sytë ? ato pak para që arrijnë të shtinë në dorë.

Më shumë se një botë imorale, Pasolini vizaton një botë amorale, paramorale: krejtësisht të pafajshme, edhe atëherë kur shpërfaqet cinike përpara kryerjes së veprimeve dhe pasojave të veprimeve të tyre. E ndërkohë që e vizaton, vendos të na tregojë brendinë e saj, si një shkrimtar që kridhet në lëndën e rrëfimit, por jo si një etnograf i cili, duke parë nga lart, synon të zbulojë zakonet dhe doket e një fisi njerëzish ?të egër?.

Ja çfarë i shkruan vetë Pasolini botuesit Livio Garzanti, një vit para botimit të librit: ?Ajo që e bën prozaike dhe imorale jetën e këtyre çunakëve  (të cilët lufta fashiste i ka detyruar të rriten si njerëz të egër: analfabetë e keqbërës) është vetë shoqëria, e cila reagon sërish në mënyrë autoritare ndaj vitalizmit të tyre, duke iu imponuar ideologjinë e saj morale. Kini parasysh se e gjithë kjo ekziston që përpara librit: unë, si rrëfimtar, nuk ndërhyj.?

Në të vërtetë, Pasolini nuk ndërhyn kurrë. Përkundrazi, mundohet ta zvogëlojë largësinë shoqërore e kulturore mes vetes dhe personazheve të tij. Ai ia del një ndërmarrjeje të tillë jo vetëm sepse ? literalisht ? pezullon gjykimin; jo vetëm sepse di ta rikthejë në mënyrë të përkryer vitalizmin e pezmatuar të borgatës, një vitalizëm i cili, në të njëjtën kohë është pothuajse pa ndasi të brendshme, mallëngjyes (sepse është plot mëshirë) e i dhunshëm (sepse është i përlyer me mizori). Ia del mbanë kësaj ndërmarrjeje sidomos sepse vendos ta shkruajë romanin jo në italishten standarde të epokës, por në një gjuhë të re që përthith e përfshin të folmen romaneske të protagonistëve të tij.

Pasolini përdor dialektin romanesk (i cili nuk është dialekti romanesk i Gioacchino Belli-t apo i traditës, por romanesku i pasluftës, slang-u i ri i djemve të jetës) jo vetëm në brendësi të ligjërimeve të drejtpërdrejta, por edhe në ligjërimin e lirë të tërthortë, në përshkrimet e tij. Kësisoj, jo vetëm që e vë dialektin romanesk në gojën e personazheve të tij, por e përshtat edhe ai vetë si gjuhë letrare, duke e përzier me italishten e lëvruar.

Pikërisht për këtë arsye, Djem jete nuk është thjesht një libër realist, apo neorealist, që përshkruan në mënyrë të hollësishme një botë që deri në atë kohë qe përjashtuar nga letërsia, nga politika e nga historia, por edhe një roman eksperimental, që përdor një gjuhë eksperimentale, tekefundit siç do të ndodhë më pas edhe në filmat e tij. Duket qartë se e tërë kjo është fryt i një meditimi të gjatë: Pasolini është i bindur se kjo është mënyra më e mirë (mbase e vetmja mënyrë e lejuar) për të rikthyer gjuhën dhe jetën asaj bote të largët vetvetiu, por në të njëjtën kohë e di shumë mirë se nuk është pjesë e saj. Gjuha e re letrare e Djem jete hedh dritë mbi këtë orvatje për të gjetur një pikë ekuilibri, ekzistenciale më shumë se intelektuale.

***

Romani nuk ndjek një ecuri vijëdrejtë. Ashtu si në sekuencat piktorike zhvillohet nëpërmjet kapërcimeve, nëpërmjet tablove të ndryshme në brendësi të së cilave ? çdoherë me një vit apo me disa muaj distancë kohore nga tabloja paraardhëse ? gjejmë një Riçet pak më të rritur se ai që kemi lënë, rrethuar nga një numër i madh personazhesh që ndryshojnë përreth tij.

Kush lexon sot Djem jete do të zbulojë një Romë që nuk ekziston më.

Nuk ekziston më Roma popullore, me ritet e saj, me ditët e saj, me ligjet e saj të pashkruara. Nuk ekziston më një marrëdhënie e përbrendshme me ujërat e dy lumenjve që e përshkojnë, Tevere dhe Anieni. Në të gjithë kapitujt e Djem jete ka skena të panumërta që zhvillohen përgjatë brigjeve të lumit. Aty zhyten, aty lahen, aty sfidojnë njëri-tjetrin duke bërë not e duke rremuar. Aty shahen midis tyre, aty këndojnë. Lumi jetohet si një trup i lëngshëm, që është pjesë e qytetit po aq sa dhe rrugët. Në fillim të librit, Riçeti rrezikon madje edhe jetën në përpjekjen për të shpëtuar një dallëndyshe që është duke u mbytur në ujërat e Teveres...

Ajo Romë nuk ekziston më, apo më saktë, ekzistojnë ende periferitë dhe borgatat. Disa prej tyre jetojnë në kushte përjashtimi, mbase edhe më larg se dje nga qendra e qytetit, por tashmë janë vende thellësisht të ndryshuara. Sot, që një tërbim i heshtur, i shurdhër, i shprishur bren themelet e qytetit, është e vështirë ta shquash më atë lloj moshe pafajësie të pikturuar nga Pasolini. Është zhdukur pikërisht ai univers i veçantë kulturor, gjuhësor, pamor, fizik, që e kish mahnitur aq shumë poetin me origjinë friuliane.

***

Siç e thashë, Djem jete nuk është një libër ndryshe nga të tjerët. Pasolini e rrëfen këtë Romë të veçantë edhe në romanin tjetër (Jetë e dhunshme), edhe në poezitë e tij (që nga Le ceneri di Gramsci e të tjerat që pasojnë) e sidomos në filmin Accattone e Mamma Roma, aq sa formon një prodhim artistik poliedrik që procedon nëpërmjet grumbullimit, për vështrime të reja mbi të njëjtin objekt. Këto vepra nuk janë kurrsesi të ndara nga njëra-tjetra: Djem jete nuk mund të lexohet pa pasur ndërmend Accattone-n, e anasjelltas: nuk mund të shohësh Accattone-n pa t?u kujtuar Djem jete.

Gjithsesi, i pari që arriti ta kuptonte, qysh në gjysmën e viteve gjashtëdhjetë, se bota e ?djemve të jetës? po zhdukej me shpejtësi, është pikërisht Pier Paolo Pasolini. Në vitin 1964, në ?Poezia në formë trëndafili?, shkruan:

Sillem nëpër Tuskolana si i çmendur,

Në Apia endem si qeni pa të zotin.

Apo vështroj perëndimet, agimet

Mbi Romë, mbi Çoçaria, mbi botë,

si gjestet e para të Pas-historisë,

ku jam i pranishëm, si privilegj i anagrafit,

nga zgripi i largët i një epoke të varrosur.

Në vitet e fundit të jetës ky lloj konstatimi bëhet gjithnjë e më i dëshpëruar. Në perëndim të asaj bote kulturalisht të ndryshme dhe antropologjikisht kundërvënëse ndaj vlerave, ndaj gjuhës, ndaj hipokrizisë së borgjezisë italiane (e cila, sipas Pasolinit, ka qenë më mizorja dhe më e pakulturuara se të gjitha borgjezitë europiane), ai vëren gjer edhe një ?genocid kulturor?. Zhdukja e asaj bote shenjon në mënyrë të thellë ?mutacionin antropologjik? të gjithë Italisë. Tashmë universi i ri konsumist kishte kolonizuar gjithçka, edhe zgripet e largëta që dikur i pati përjashtuar. Ajo botë, e cila në kohën e Djem jete e Accattone ishte ende e ndarë dhe ende në gjendje për të prodhuar një veçanësi të veten kulturore, tashmë kishte zakone të reja, dëshira të reja, gjuhë të re ? të njëjtat gjëra të përhapura nga televizioni dhe reklamat.

Tashmë Italia ishte një vend më pak i larmishëm, më pak i pasur me veçanësi. Pasolini flet gjer edhe për një fashizëm të ri që lindet nga homologimi konsumist. E këtë e thotë qartë në një nga shkrimet e tij të fundit, botuar në ?Corriere della Sera? në l8 tetorin e vitit 1975, plot njëzet vjet pas botimit të parë të romanit Djem jete. Duke folur për borgatat romane, ai thotë se të rinjtë që jetojnë tani në ato anë nuk janë më ?simpatikë?. ?Janë të trishtuar, neurotikë, të pasigurt, tërë ankth mikroborgjez; u vjen turp që janë punëtorë; mundohen të imitojnë djemtë e baballarëve, kallpët. Po, sot jemi dëshmitarë të fitores e të ngadhënjimit të djemve të baballarëve. Sot janë ata që e ofrojnë modelin që duhet ndjekur.?

***

Kush e lexon sot Djem jete për herë të parë në gjuhën shqipe, do të zbulojë mbi të gjitha repertorin arkeologjik të një Rome që nuk ekziston më. Në të njëjtën kohë mund të shijojë mënyrën me të cilën ? falë përkthimit të Shpëtim Kelmendit ? gjuha eksperimentale e përpunuar nga Pasolini në vitet pesëdhjetë të Nëntëqindës është përkthyer dhe interpretuar në një tjetër gjuhë.

Por mbi të gjitha, besoj se mund të shfaqet si një instrument i dobishëm për të lexuar ndryshimet e qyteteve të tyre, lagjeve të tyre, shtresave të tyre shoqërore. Do t?ju shërbejë si një lente zmadhuese, e aftë për të ndriçuar ? si krahasim apo si ndryshim ? atë çfarë ka ndodhur gjatë njëzet vjetëve të fundit në Tiranë apo në vende të tjera, në vazhdën e një transformimi të madh.

Pas leximit të këtij libri, do të jetë e drejta e lexuesit të dalë në përfundimin nëse zhdukja e botës së ?djemve të jetës?, nëse ?mutacioni antropologjik?, që aq shumë e bënte të vuante Pasolinin, është një realitet që i përket vetëm Italisë, apo e kundërta, një realitet universal që i përket edhe vendeve të tjera, edhe shoqërive të tjera, e mund të perceptohet si refleksi i një pasqyre, nëpërmjet së cilës të mund të shquajë se sa shumë ka ndryshuar pamja e tyre.