Aktualitet

Hollywood Sovjetik

Hollywood Sovjetik

Nga Javier Marias/ Asgjë nuk krahasohet me luftën që zgjat në kohë me një armik derisa ta shkatërrosh, ndonjëherë zgjat dekada, por përfundon duke e imituar e rimishëruar, duke i ngjarë shumë atij. Ai që u quajt ¨Perëndim¨ luftoi fuqishëm nazizmin dhe pastaj, në më shumë kohë e distancë, sovjetizmin.

Shtete si Polonia, Hungaria, Venezuela, Brazili dhe pjesë e madhe e Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, Spanjës, Argjentinës, jo vetëm që kanë mësuar nga armiqtë e tyre, por kanë përvetësuar dhe mësime e praktika prej tyre. Në vendin tonë dishepujt e kësaj praktike janë Podemos dhe Vox që e kanë në gjene prirjen diktatoriale, por nuk do shkruaj për këtë sot.

Në fakt e gjithë bota është në dijeni se çmimet që shpërndan Oscar çdo vit, nuk ngjallin interes sepse nuk kanë të bëjnë as me kinemanë, as me artin, as me interpretimin. Ju jepet çmimi filmave të këqinj, herë pa peshë e pa shije, të parashikueshëm deri në acarim – thjesht për ¨qëllimet e tij të mira¨. Nëse denoncohen padrejtësi ose diskriminime të largëta ose aktuale, nëse do bëhej fjalë për një grup ose për një individ të keqtrajtuar, të poshtëruar nga pjesa tjetër e shoqërisë, njerëz me ndonjë të metë fizike, shëndetsore ose mendore, duartrokitja është e garantuar dhe zhbërja e statujave është e sigurt.

Që filmi në fjalë të jetë demagogjik, i lirë, që bën për të qarë, zhvilluar me një art jo të mirë, thjeshtëzuar deri në skaj, është më e pakta. Do ti jepet çmim për hir të vuajtjes dhe justifikimit. Janë me vend këto denoncime dhe duhet të bëhen, por prandaj ekzistojnë kanalet televizivive, shtypi dhe rrjetet. Problemet që ju takojnë gazetarëve, nuk kanë pse kolonizojnë vendin e artitistëve, që duhet te jenë udhëzues më kompleksë, më imagjinarë dhe më të papërcaktuar.

Diçka e ngjashme ndodh dhe me aktorët e të dy gjinive, nuk flasin për interpretimet e tyre, por për nivelin e cirkut që kanë rolet përkatëse. Para gjysmë shekulli në 1968, çmimi Oscar për aktorin më të mirë ju dha një aktori jo dhe aq të njohur, Cliff Robertson sepse luajti rolin e një të sëmuri mendor. Sot kjo listë do të ishte e pafundme, nëse dikush mishëron dikë që belbëzon, një invalid, një gay apo një transeksual pa qenë vetë të tillë, një personazh historik që nuk i ngjason as pasi i kanë vënë proteza me ton, një aktore që bën hundën, bëhet tullace, shëndrrohet në vrasëse seriale, nëse fiton apo humbet peshë për hir të rolit, nëse burra ose gra luajnë role histerike i afrohen aq shumë çmimeve. Sot do të ishte e pamundur të binte në sy Jack Lemmon në filmin ¨The apartment¨, shembull i një interpretimi që shpreh e ka përmbajtje, prej dikujt të zakonshëm e vulgar.

Jam i mendimit që Hollywood ta heqë maskën dhe të vendosë rregulla të reja, sipas të cilave, për ¨filmin më të mirë¨mund të pretendojnë vetëm ata filma në të cilat ¨të paktën një personazh kryesor nuk është i bardhë, të paktën 30% e personazheve dytësorë të jenë femra, minoritarë, LGTBIQ ose invalidë ose tema kryesore të vërtitet rreth këtyre grupeve. Në vazhdim, një varg kushtesh mbi grupin krijues dhe teknik, aq të detajuara si ligjet e Nurembergut për çifutët. Tani e kemi të qartë, të shkruar e të detajuar: Hollywood do një kinema sovjetike. Bashkimi Sovjetik i kërkonte të këndonin kantikë klasës punëtore e të nënshtruar, vepra të shkëlqyera revolucionarëve dhe fletë lavdërimi regjimit me nomenklaturë të korruptuar. Kërkesat këtu ndryshojnë, por sovjetizmi dhe nazizmi kanë të njëjtin koncept kërkese si ai ndaj artit dhe krijuesve, dënimin e lirisë.

Më e rënda është që ndërhyjnë dhe në përmbajtje. Kushtëzohet e diktohet ajo që mund të filmohet, pikturohet, shkruhet, cilat tema duhet të prekim dhe nga cili pozicion, është totalitarizëm, nuk ka fjalë tjetër. Unë nuk jam kineast, por jam shkrimtar. Na ka kushtuar burgje e vdekje, liria e plotë krijuese dhe artistike, në Spanjë dhe në vende të tjera, që sot të kthehen diktatorët me maskat e ¨kauzave të mira¨. Edhe nazistët, frankistët, sovjetikët ishin të bindur për mirësinë e kauzave të tyre, mos mendoni që jo.

Javier Marias është shkrimtar, përkthyes dhe redaktor Spanjoll. Ky artikull u përkthye në Shqip nga Albana Murra.