Gjimnasti rus shfaqet me simbolin e pushtimit në Ukrainë në Kupën e Botës në Katar

Gjimnasti rus, Ivan Kuliak kishte një shkronjë ''Z'' në gjoks, ndërsa mori një medalje bronzi në Kupën Botërore të Gjimnastikës Artistike në Doha, ndërs ndodhej përkrah ukrainasit Kovtun Illia, i cili fitoi medaljen e artë.
Simboli, i cili është parë në tanket ruse, është bërë një sinjal i mbështetjes për pushtimin.
"Federata Ndërkombëtare e Gjimnastikës (FIG) konfirmon se do t'i kërkojë Fondacionit të Etikës së Gjimnastikës që të hapë procedura disiplinore kundër gjimnastit artistik mashkull Ivan Kuliak (RUS) pas sjelljes së tij tronditëse në Kupën Botërore në Doha, Katar," tha FIG në një deklaratë.
FIG ka miratuar tashmë masa kundër Rusisë dhe Bjellorusisë pas pushtimit. Nga 7 marsi, atletët nga të dy vendet nuk do të lejohen të marrin pjesë në ngjarjet e organizuara nga FIG.
Të hënën e kaluar, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) rekomandoi ndalimin e rusëve dhe bjellorusëve nga garat sportive, duke thyer një traditë të gjatë të mosndërhyrjes në debatet politike ose gjeopolitike.
Tiranapost.al