Shqipëria me Abakarov merr medaljen e artë në Kampionatin Botëror të Mundjes

Sportisti i ekipit të Tiranës, rusi i natyralizuar si shqiptar Zelimkhan Abakarov i dha Shqipërisë medaljen e parë të artë botërore në mundje.
Abakarov triumfoi në finalen e peshës 57 kilogram në stilin e lirë, zhvilluar këtë të shtunë në Beograd.
Pas kësaj arritjeje të madhe në Kampionatin Botëror, Kryeministri Edi Rama ka bërë një postim në rrjetet sociale: “Zelimkhan Abakarov, mundësi fantastik me nënshtetësi shqiptare, shpallet kampion bote dhe nën tingujt e himnit tonë kombëtar ngre flamurin kuqezi në Beograd,” shkruan Rama.
Edhe kryebashkiaku Erion Veliaj ka uruar Abakarov për rezultatin e jashtëzakonshëm të arritur dhe trajnerin e tij: “Zelimkhan Abakarov, mundësi me nënshtetësi shqiptare i KS Tirana shpallet kampion bote në Kampionatin Botëror të Mundjes, Beograd 2022. Faleminderit Leonard Çakmashi, për kontributin si trajner! Krenarë për ty Zelimkhan!” - shkruan Veliaj.
Suksesi 7-2 u arrit përballë amerikanit Tomas Gilman.