Ta thotë doktoreshë Silva

Si ta eliminoj shenjën e mbetur në vendin ku hoqa nishanin?

Si ta eliminoj shenjën e mbetur në vendin ku hoqa nishanin?

“Kam hequr kohë më parë një nishan, por vendi më ka mbetur shenjë. A ka ndonjë procedurë estetike që ma eliminon?”

Për të dhënë një përgjigje sa më të saktë në lidhje më këtë pyetje, ju duhet të konsultoheni nga afër me një mjek dermatolog pasi është shumë e rëndësishme të përcaktohet lloji ishenjës (cikatrice hipertrofike ose atrofike), lokalizimi (lëkura ndryshon nga njëra zonë në tjetrën), madhësia dhe thellësia e shenjës, koha që ka kaluar nga ndërhyrja mbi nishan dhe gjithashtu diagnoza histologjike e nishanit të hequr (përgjigjia e biopsisë).

Pasi plotësohet historiku i shenjës me informacionin e mësipërm zgjidhet procedura më e përshtatshme për ta reduktuar atë. Fatmirësisht ekzistojnë disa procedura për reduktimin e cikatriceve (shenjave) të aplikuara me shpime si injeksione me plazma ose plazma e aplikuar me tekniken mikroneedling (psh dermapen) ose trajtime me lazer si fraxel apo CO2 i fraksionuar.

Të gjitha këto trajtime aplikohen me seanca në distancë kohore 2-4 javë nga njëra tjetra dhe kanë për qëllim zëvendësimin e qelizave të dëmtuara me qeliza të reja normale dhe zëvendësimin e indit fibrotik të cikatrices me ind elastik normal.

Llojet e trajtimeve mund të kombinohen me njëra-tjetrën por numri i seancave dhe përqindja e reduktimit varen nga të gjithë faktorët e sipërpërmendur ndaj duhet të bëni durim dhe të jeni realistë për pritshmëritë.

Dr.Silvana Mishtaku

Mjeke Dermatologe-Venereologe

Klinika VIVIA, Spitali Amerikan 3

Email: [email protected]

Instagram: silvanamishtaku