Të vërtetat e thjeshta

Të hapen kutitë!

Të hapen kutitë!

Asnjë panik, shkrimi nuk ka lidhje me zgjedhjet.🙈

Mbase nuk do ta kisha nisur ta shkruaja këtë shënim, nëse vajza e madhe nuk do të më kishte treguar se mësuesja e caktuar si koordinatore për cilësinë në shkollën e saj u ka krijuar një kuti ku ata mund të hedhin letra anonime me pyetje a shqetësime që kanë.

Kjo më kujtoi një episod nga koha e pasionit të madh dhe energjisë sime rinore, kur, si e diplomuar në sociologji, mora përsipër të jepja mësim në një gjimnaz.

Në vitin 2001 unë isha veç 5-6 vjet më e madhe se nxënësit e mi dhe, nga dëshira për të ngritur me ta ura komunikimi, por edhe që të më "bindeshin", krijova një kuti ku ata hidhnin pyetje anonime dhe unë një herë në javë iu ktheja përgjigje në orën e kujdestarisë.

Shumica e pyetjeve në atë kohë ishin për seksin. Nxënësit e mi dinin çdo kioskë në Tiranë ku mund të bliheshin tangat (edhe emrin atëherë s'e dinin mirë), dinin për pilulat e emergjencës, por nuk kishin dëgjuar asnjëherë, fjala vjen, për himenin apo mbrojtjen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
(Në mbrojtjen time mund të them se aktivizmi me shoqata të ndryshme rinore, që në vitet e gjimnazit e më pas gjatë gjithë kohës së fakultetit, më kishte dhënë mundësinë për të mësuar e punuar si edukuese bashkëmoshatarësh për tema të ndryshme sociale, ashtu si edhe mbrojtjen nga SST. Nuk iu thosha "marrëzira" nxënësve.)

Nuk është qëllimi im të flas sot për këtë temë.
S'po ndalem as te gabimet e mësuesve të biologjisë, të cilët këmbëngulnin te shumimi i euglenës së gjelbër, por i kalonin pa u ndalur temat e riprodhimit te njerëzit.

Nuk po analizoj idenë time se kjo puna e njohurive për seksin është si abetarja: s'mund të lexosh Lolitën e Nabokovit pa mësuar alfabetin...
Po ju them veç një fjali se si shpëtova "gjallë" nga kjo përvojë, ku ish-kolegët e mi u turbulluan fort:

më mbrojti drejtuesi gjerman i shkollës gjatë asaj kohe, i cili nuk u skandalizua, përkundrazi... dhe fakti se çdo klasë e atij gjimnazi merrte leje të vinte te orët e mia të kujdestarisë.

Këtu tani do të ndalem: së pari, të them se askush s'mund të ndalë shumë të rinj bashkë kur duan të arrijnë diçka, e së dyti, të marr shkas nga ky kthim në kohë (gati 25 vjet pra) dhe të bëj atë pyetjen që më mundon shumë:
A i dëgjojmë ne fëmijët?

Se kam dy muaj këtu që javë pas jave them se si duhet të flasim me fëmijët, por në fakt, t’i dëgjojmë ata është thelbësisht e rëndësishme.
Ndaj duhet patjetër të gjejmë kohën, durimin, vëmendjen dhe ftohtësinë për të dëgjuar fëmijët tanë.

Komunikimi është si tangoja: duhen dy palë për ta bërë të rrjedhë lirshëm në ritmin e përditshmërisë.

E di që jo gjithmonë është e lehtë të dëgjosh dikë që e ke lindur vetë dhe ndan mendime a përvoja krejt të ndryshme nga ato që ti mendon a ke menduar se ai/ajo duhet të ketë, duhet të bëjë.

Por detyra jonë është edhe kjo, ndaj ftesa ime është të fokusoheni, të gjeni një "kuti" ku fëmijët dhe ju mund të këmbeni mendimet, përvojat, frikërat dhe motivimet, dhe ta "hapni" atë.

Sa më shpejt, aq më mirë!