YouPost

Tre lutje për këtë vit shkollor

Tre lutje për këtë vit shkollor

Ky ishte një vit i vështirë për të gjithë. Për të vegjël e të mëdhenj. Që nga fëmijët deri tek të moshuarit. Për të punësuarit dhe të papunët. Që nga punonjësit e shëndetësisë deri te punonjësit e pastrimit. Një vit i vështirë, i pazakontë, i jashtëzakonshëm. Për të gjithë, pa përjashtim.   

U përballëm me fatkeqësi natyrore si tërmeti, po përballemi me një tjetër fatkeqësi si pandemia. U përballëm dhe po përballemi me kërcënime madhore ndaj asaj që kemi më të shtrenjtë: JETËS. U tronditëm, u shtangëm, u frikësuam, u zemëruam, u shqetësuam. Për veten, për të dashurit, për gjithë njerëzit e njohur e të panjohur.

Për shkak të këtyre ngjarjeve madhore, disa humbën njerëz të shtrenjtë e gjëra të shtrenjta. Për shkak të tyre, të gjithë humbëm atë që kishim pranuar si “normalitet” dhe “rutinë” të jetës së përditshme.

Ngjarje të tilla janë kërcënuese ndaj gjithçkaje që ne kemi ndërtuar me mund në jetën tonë. Ngjarje të tilla e ndryshojnë katërcipërisht mënyrën sesi ne e shohim veten dhe botën përreth. Nga një vend i sigurt dhe i mirë, bota mund të shihet – brenda sekondit – si një vend i pasigurt dhe i keq.

Pafundësisht është folur dhe shkruar për këto ngjarje. Janë realizuar kronika e intervista, artikuj e studime, të cilat kanë hedhur dritë mbi to dhe efektet e tyre te të gjithë ne. Ama unë besoj se ka akoma shumë për të folur, për të ndarë, për të rrëfyer. Jemi aq kompleksë, saqë do na duhet kohë për të përpunuar mendërisht dhe emocionalisht gjithçka që kemi përjetuar, për të sistemuar ato që kemi humbur dhe ato që kemi fituar, ato që duhen hedhur pas krahësh e ato që duhen përdorur për të sotmen dhe të nesërmen. Uroj që të gjithë ta gjejmë kohën dhe hapësirën për ta bërë këtë, për të shkarkuar, për të reflektuar, për t’u çliruar, për t’u shëruar…

Po pavarësisht vështirësive, jeta ngulmon të lulëzojë. Si ajo lulja që çel mes shkëmbinjsh. Si sythat që çelin pas një dimri të acartë. E ndërsa vera na shërbeu për të ripërtërirë disa energji, fillimi i vjeshtës, le të shërbejë për të vendosur disa qëllime.

Tre lutje për këtë vit shkollor

Shtatori – ky muaj i parë i një stine transformimi natyror dhe shpirtëror. Për shumë prej nesh, simbolizon një rifillim, një sezon të ri, në shkollë, në punë, në shumëçka. Ky shtator nuk duket si gjithë të tjerët: duket një shtator i shqetësuar dhe i merakosur. Dhe ka të drejtë të jetë kështu!

Një ngjarje e rëndësishme që shenjon çdo shtator është fillimi i shkollës. Mijëra nxënës u ulën sot në bankat ku do të mësojnë gjëra të reja për muajt në vazhdim. Një pjesë e tyre, për herë të parë, ndoshta me më shumë emocion. Ky nuk është një (ri)fillim shkolle “normal”. Të gjithë kemi javë të tëra që po përgatitemi për një nisje të pazakontë: me maska, me distancë nga njëri-tjetri, me dezinfektues mbi banka, me mësim me turne, me orë 30-minutëshe… Disa nuk do të rikthehen në shkollën e tyre, sepse ajo është shembur dhe ende nuk është ringritur. Kush e kishte imagjinuar një nisje të tillë të vitit shkollor, një vit më parë? Ndoshta askush. Mirëpo sot, na duhet ta pranojmë gjithë këtë. Ky është realiteti, me të cilin të gjithë po përballemi e do të na duhet përballemi në ditët, javët e muajt në vazhdim…

Tre lutje për këtë vit shkollor

Sot është një ditë e shënuar, ndaj e ndjeva të nevojshme të ndalem pak çaste e të reflektoj për  gjërat që mund të kenë më shumë rëndësi për secilin prej nesh. Sot është një ditë përballjeje në një front të parë, në frontin më të rëndësishëm të një shoqërie, aty ku ndodh edukimi i brezit të ri. Do të jetë një përballje e fortë, e vështirë, e mundimshme. Për fëmijët, për prindërit, për mësuesit. Ndoshta, të gjithë ndihemi të pasigurt në atë “llogoren” tonë… Të vegjël e të mëdhenj. Prindër e joprindër. Pamjet e nxënësve duke ecur me ngadalë e kujdes, në përpjekje për të ruajtur largësinë nga njëri-tjetri, me gojën dhe hundën të mbuluar nga maskat, të frikësuar mos prekin shokun a shoqen, në siklet për shumëçka duhet e nuk duhet të bëjnë…

Tre lutje për këtë vit shkollor

Mirëpo, kjo pamje nuk i përket vetëm Tiranës, por gjithë Shqipërisë, gjithë botës. Ndoshta, kjo mund ta lehtësojë paksa secilin prej jush që sot do të merrni fëmijët përdore ose do t’i shoqëroni për te shkolla. NUK JENI VETËM! Si ju prindër, janë miliona prindër të tjerë që po i përcjellin fëmijët e tyre të vegjël e të mëdhenj në shkollat e tyre në të gjitha qyetet e shtetet e botës. Si ju fëmijë, janë miliona fëmijë të moshave të ndryshme, që po shkojnë me të njëjtat rregulla e kufizime drejt bankave të shkollave, ku do të nisin një vit shkollor jo si zakonisht, por ndryshe.

E ndryshmja nuk është domosdoshmërisht më e mirë, por as domosdoshmërisht më e keqe. E ndryshmja e këtij viti, e kësaj fillimvjeshte, e këtij mes-shtatori ndoshta duhet të na mësojë se ne njerëzit jemi qenie që evoluojmë dhe kjo është e vetmja trashëgimi nga të parët që mund të na ndihmojë të ecim përpara dhe të ringrihemi pas çdo rënieje. Jam e vetëdijshme se do të ketë sfida e vështirësi, ankesa e shqetësime, zhurmë dhe të bërtitura, të qara e ulërima, ankth e trishtim… Po aq, jam e vetëdijshme, se do të ketë mbështetje dhe mundësi, këshilla e sugjerime, tinguj e këngë shprese, pëshpëritje e fjalë zemre, gëzim e kënaqësi… Në fund të fundit, jemi NE që mund të zgjedhim se cilën do të përqafojmë prej këtyre, sado e vështirë të duket situata në të cilën ndodhemi.

Sot kemi shumë nevojë të jemi optimistë dhe të shohim “gjysmën plot të gotës” që kemi në duar. E sot kemi nevojë të lutemi që ky të jetë një fillim i mbarë dhe shpresëdhënës për fëmijët, për prindërit, për mësuesit, për të gjithë ne:

Tre lutje për këtë vit shkollor

Lutem për fëmijët! Lutem që ju fëmijë të gëzoni shëndet të mirë, të shkoni në shkollë me dëshirë dhe kuriozitet për të mësuar, për të shtuar njohuritë dhe dëshirat tuaja; të shkoni në një shkollë, ku të ndiheni të sigurt, të mbrojtur, të kujdesur; që mësuesit tuaj të dinë të dëgjojnë fjalët dhe heshtjen tuaj, të dinë të mbajnë gëzimin dhe frikërat tuaja, të dinë të zbusin mendjen dhe zemrën tuaj; t’ju kuptojnë kur jeni të mërzitur dhe t’ju ndihmojnë nëse jeni në rrezik. Lutem që prindërit tuaj t’ju duan dhe t’ju vlerësojnë, t’ju njohin dhe t’ju kuptojnë, t’ju qetësojnë dhe t’ju ndihmojnë, të jenë pranë jush për t’ju ndihmuar të zgjidhni problemet së bashku, si një skuadër e fortë. Lutem që të merrni edukimin që meritoni dhe të rriteni me dashuri dhe dashamirësi për veten dhe tjetrin. Lutem që të lexoni më shumë dhe ta përdorni më pak telefonin. Lutem që të bisedoni më shumë dhe të zhyteni më pak në internet. Lutem që të luani më shumë në natyrë dhe të qëndroni më pak të mbyllur në dhomën tuaj. Lutem që vajzat ta duan më shumë veten e tyre, të edukohen me të drejtat e tyre, t’i mbrojnë të drejtat e tyre, të mos kenë turp për t’u shprehur, për të thënë “Jo”, të kërkojnë ndihmë nëse janë në rrezik dhe të luftojnë për vendin e tyre edhe nëse u thonë “Pusho, se je vajzë” . Lutem që djemtë të mësojnë të shprehin ndjenjat e tyre, të pranojnë dobësitë e tyre, të fuqizojnë mendjen dhe zemrën, jo vetëm muskujt e tyre, të flasin gjuhën e mirëkuptimit dhe tolerancës, të ndihmojnë në shtëpi e në klasë, të trajtojnë me respekt vajzat dhe të kërkojnë ndihmë sepse kjo nuk i bën të dobët. Lutem për ju fëmijë që të mësoni ta doni veten tuaj, prindërit tuaj, mësuesit tuaj, gjithë njerëzimin, sepse të gjithë kemi të drejta të barabarta (por jo privilegje – për këtë do mësoni më shumë duke u rritur). Lutem të rriteni e të shihni se ajo që ka rëndësi vërtet në këtë jetë dhe ajo që mbetet në fund nuk janë gjërat e shtrenjta, por shenjtëria e zemrës. Lutem që duke u rritur të bëheni më të mirë dhe më të drejtë për veten tuaj dhe shoqërinë.

Tre lutje për këtë vit shkollor

Lutem për prindërit! Lutem për shëndetin tuaj, për mendjen dhe zemrën tuaj. Lutem që të gjeni forcë dhe durim brenda vetes suaj për të përballur çdo vështirësi e sfidë nesër e tutje, për fëmijët tuaj, në emër të jetës, të rritjes dhe edukimit të tyre. Kërkoni nga vetja, kërkoni nga mësuesit, kërkoni nga shkolla, nga komuniteti, nga politika me mendje dhe me zemër! Lutuni për të përballuar çdo sfidë tuajën dhe të fëmijëve tuaj. Jepni nga vetja, informoni dhe tregohuni të hapur e bashkëpunues me mësuesit e fëmijës suaj, me shkollën ku po e çoni fëmijën tuaj. Lutem që t’ia dilni mbanë për të bërë më të mirën tuaj, për të gjetur rrugën tuaj, për të ndihmuar veten dhe fëmijët tuaj, për të zgjatur dorën tuaj të ndihmës dhe bashkëpunimit me të gjithë ata që mund t’ju ndihmojnë, nga mësuesit te komuniteti dhe ata që bëjnë politikën.  Lutemi që të jeni aty për fëmijët tuaj, për djalin tuaj nëse bëhet me nerva dhe bërtet, nëse qëndron me orë të tëra në telefon dhe harron të ushqehet, nëse del dhe kthehet shumë vonë sepse është “i rritur” dhe nuk ka nevojë për “roje” nga pas, nëse mbyllet në vetvete dhe nuk ju tregon sesi kaloi në shkollë apo nëse po i bie në qafë dikush atje jashtë, ta edukoni me liri dhe përgjegjësi, ta trajtoni me respekt dhe butësi.. Lutem që të jeni aty për vajzën tuaj, që ta trajtoni me respekt, ta lini të vishet me pantallona e T-shirt edhe nëse juve ju pëlqen më shumë fustani, ta edukoni me të drejtat dhe përgjegjësitë, pa e nxitur të mendojë në një formë të caktuar apo të sillet “kështu jo jo ashtu, sepse kështu duhet të sillet një vajzë”, të flisni me të kur t’i vijnë menstruacionet, ta pyesni sesi ndihet, ta pyesni nëse i pëlqen dikush dhe ta edukoni me dashurinë për trupin dhe veten e saj edhe nëse ka akne apo është pak mbipeshë…

Lutem për mësuesit! Lutem për trupin dhe mendjen tuaj, për zemrën dhe shpirtin tuaj. Lutem që të keni besim dhe fuqi për të përballuar sfidat me nxënësit dhe prindërit tuaj, në klasat dhe në shkollat tuaja. Lutem që të kujdeseni për veten tuaj, për mirëqenien tuaj dhe të gjeni hapësirë për të çliruar shqetësimet tuaja, para se të futeni në klasë, para se të dilni përpara nxënësve tuaj. Lutem që të shihni brenda syve të fëmijëve që do të mësoni dhe të kuptoni se nuk jeni vetëm prindërit e tyre të dytë, por versioni më i mirë i prindërve që ata mund të kishin. Lutem që të dëgjoni dhe të kuptoni më shumë, që të mbani dhe të duroni më shumë, që të kuptoni nëse diçka nuk shkon me një nxënës apo nxënëse tuajën, që të reagoni në kohë dhe të jepni ndihmën tuaj të pakursyer njerëzore. Lutem që t’i keni sytë dhe veshët të hapur, që të mprehni shqisën tuaj të gjashtë për të kuptuar nëse një nxënës po vuan, nëse është i sëmurë, nëse i ka prindërit pa punë, nëse po i ndahen prindërit, nëse po e ngacmojnë shokët, nëse po dhunohet, nëse po e ngacmojnë në internet… Lutem që ju ta bëni punën ashtu siç duhet si edukues të shoqërisë. Lutem që të kërkoni ndihmë nëse diçka nuk shkon, për veten dhe për nxënësit tuaj. Lutem që të denonconi nëse dikush në shkollën tuaj po dëmtohet! Lutem për dinjitetin dhe integritetin tuaj!

Amen!

Tre lutje për këtë vit shkollor

p.s. Janë lutje dhe jo kërkesa. Janë lutje, sepse të gjithë kemi nevojë të besojmë te një fuqi sipër nesh ose brenda nesh, e cila duhet thirrur herë pas here, që ta fuqizojmë edhe më veten tonë, e cila brishtëzohet hera-herës, bëhet e dobët dhe ka nevojë për ndihmë. Janë lutje, sepse të gjithë kemi nevojë të lutemi dhe të besojmë te vetja jonë më e mirë dhe tek një botë më e mirë. Janë lutje, sepse ngjarjet që kaluam e vështirësitë që po kalojnë, duken më të mëdha se ne dhe ne kemi nevojë për super-fuqi për t’i përballuar, për të zbutur peshën e tyre mbi ne. Janë lutje, sepse sot kemi nevojë të besojmë se një pjesë e zgjidhjes jemi vetë ne dhe se nuk na duhet të presim që dikush atje jashtë të na i zgjidhë problemet. Janë lutje, sepse sot kemi nevojë për besim dhe shpresë te vetja dhe të tjerët. Kemi nevojë për të pranuar kufizimet tona, natyrën tonë. Kemi nevojë për t’u paqëtuar dhe për të ndjerë urtësinë që mbush si ajri mushkëritë tona dhe pastron si drita mendjen tonë.

© Autori: Lediona Braho

Psikologe Klinike