Zgjatet orari i shërbimeve te drejtoria e patentave/Ja kur mund të aplikoni
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve ka zgjatur orarin e shërbimeve për të gjithë ata persona që nuk kanë mundësi të shkojnë nga ora 8 deri në 16.00.
Përmes një njoftimi Drejtori e Transporteve bën të ditur se nga sot, qytetarët do të mund të marrin të gjitha shërbimet pranë sporteve në të 13 Drejtoritë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor edhe përtej orarit 16:00.
“AllDayOpen! Për të lehtësuar nevojat e atyre qytetarëve që kanë pamundësi të paraqiten në sportelet e DPSHTRR brenda orës 16, nga sot, çdo të Mërkurë, në të 13 Drejtoritë Rajonale jemi hapur deri në ora 19 për çdo shërbim e aplikim”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Po kështu një tjetër masë e marrë është monitorimi online i 13 drejtorive, gjë që do të ndikojë në uljen e korrupsionit.
“Kamerat dhe kompjuterat në vëzhgim! JO rryshfetit! PO mësimit”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie.
Një vendim tjetër që prek direkt qytetarët është shkurtimi i kohës për të tërhequr kartat e lejeve të drejtimit të automjetit. Ato tashmë bëhen edhe në zyrën te ish NSHRAK, që qëndron e hapur nga e Hëna-Premte nga ora 8.00 deri në 19.00 dhe të Shtunën nga ora 9.00 deri në 13.00.
“Gjithashtu, nga data 17 dhjetor, aplikimet për Leje drejtimi, rinovime, Leje Ndërkombëtare, vërtetime, çertifikata mund të bëhen edhe në Lushnje, Burrel, Himarë, Tropojë, Fier, Dibër, Vlorë, Kukës! Ndërsa pritja për marrjen e Kartës së Lejes së Drejtimit dhe ÇAP nga 10-15 ditë ulet në vetëm 5 ditë! Sektori i Personalizimit në DPSHTRR do punojë me dy turne për prodhimin ndërsa një ekip operacional do realizojë përshpejtimin e shpërndarjes!”, bëhet e ditur nga kjo drejtori.