Aktualitet

Nga ditëlindja tek gruaja e dytë që mori me rrëmbim dhe vdekja e dyshimtë: 10 fakte për Ismail Qemalin nga historiani turk

Nga ditëlindja tek gruaja e dytë që mori me rrëmbim dhe

Nexhip Alpan është historiani turk i cili ka shkruar një libër historik për Ismail Qemalin, themeluesin e shtetit shqiptar. Ai ka përdorur materiale të nxjerra nga arkivat, të cilat janë dokumente autentike, por disa të dhëna ende nuk janë botuar në biografinë zyrtare të Ismail Qemalit.

Nisur nga ditëlindja tek flamuri që ngriti dhe eshtrat e tij, Nexhip Alpan zbulon 10 fakte historike për të.

 1- Ditëlindja e Ismail Qemalit përkon me atë të Enver Hoxhës. Deri në vitet 1990, teksti zyrtar i historisë shqiptare. 'Fjalori Enciklopedik', por edhe në materiale të tjera nuk kishte datë lindje për Ismail Qemalin, por vetëm vitin e lindjes 1846. Historiani turk Alpan thotë se ditëlindja e saktë e Ismail Qemalit është 16 tetor 1846.

2- Emri i Vërtetë: Një kuriozitet tjetër nga jeta e themeluesit të shtetit është se në të gjitha dokumentet e kohës ai referohet si Ismail Bej Vlora dhe jo Ismail Qemali, apo Ismail Bej Qemali. Sidoqoftë, Ismail Qemali është emri i shkruar pothuajse në të gjitha librat zyrtarë të historisë.

3- Martesat dhe Fëmijët: Ismail Qemali u martua dy herë. Herën e parë me një të ve nga Konica, e cila vdiq gjatë lindjes së vajzës, herën e dytë ai u martua në vitin 1886 me Kleoniqi Surmeli, e cila ishte vajza e një fisniku grek nga provinca e Edirne-s.

Ismail Qemali u detyrua që ta rrëmbente gruan e dytë, sepse ligji nuk e lejonte martesën e një myslimani me një të besimi ortodoks. Në martesën e dytë, Ismail Qemali u bë babai i 9 fëmijëve, tre vajzave dhe gjashtë djemve. Vajzat quheshin Myvedet, Aliya, Ylvie. Djemtë kishin emriat: Mahmud Beu, Tahir Beu, Et'hem Beu, Xhevdet Beu, Qazim Beu dhe Qami Beu.

4- Poliglot: Ismail Qemali dinte tetë gjuhë: shqip, osmanisht, turqisht, greqishte të vjetër, latinisht, frëngjisht, italisht dhe sllavisht.

5- Vdekja e dyshimtë: Ismail Qemali vdiq në rrethana misterioze në Perugia të Italisë, pak para se të dilte në një konferencë për shtyp. Dyshimet për mënyrën e vdekjes së tij kanë ekzistuar gjithmonë. Mendohet se ai mund të jetë helmuar. Kjo i shton akoma më shumë dyshimet pasi organet e tij të brendshme janë hequr, duke zhdukur çdo shenjë nga autopsia.

6- Flamuri: Ka pasur diskutime dhe ende nuk është zgjidhur se cili flamur u ngrit më 28 nëntor të vitit 1912 në ballkonin e Shtëpisë Historike në Vlorë. Sipas variantit të parë flamuri i ngritur u qëndis nga Marigo Pozio, nusja në shtëpinë ku Ismaili fjeti një natë para ngritjes së flamurit. Ndërsa sipas një versioni tjetër flamuri u soll nga Spiridon Ilo nga Amerika. Ka dhe një version të tretë nga Eqrem bej Vlora, sipas të cilit flamuri u dha nga Aleadro Kasstriota, burri i një princeshe që pretendonte të ishte pasardhësi i Skënderbeut.

7- Foto Simbol: Fotoja simbol e Deklaratës së Pavarësisë ka mbetur ai i 1 Dhjetorit 1912. Deri më sot nuk ka asnjë foto nga momenti i Deklaratës së Pavarësisë më 28 nëntor 1912.

8- Dokumenti i Pavarësisë: Dokumenti origjinal i Deklaratës së Pavarësisë nuk është gjetur ende. I vetmi dokument që ekziston është një kopje e Lef Nosit, i cili ka qenë Ministri i Post-Telegrafit në qeverinë e parë shqiptare.

9- Sa kohë qëndroi në pushtet: Ismail Qemali si kryeministër dhe presidenti i parë në historinë e shtetit shqiptar qëndroi në krye të qeverisë nga 28 nëntori 1912 deri më 22 janar 1914.

10- Eshtrat: Në fillim kufoma e balsamosur e Ismail Qemalit u varros sipas dëshirës së tij në qytetin e Kaninës. Ceremonia e varrimit u zhvillua më 12 shkurt 1919. Pas 13 vitesh në Kështjellën e Kaninës, trupi i pajetë i Kryeministrit të parë të shtetit shqiptar u dërgua në Vlorë në datën e shënuar, më 28 nëntor 1932 me rastin e 20 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Trupi i Ismail Qemalit u zhvendos përfundimisht në vendin ku është ende tani, në "Sheshin e Flamurit" në Vlorë. Varri monumental i Ismail Qemalit ka imazhin e "Flamurtarit", një vepër e skulptorit të njohur Odise Paskali.

Sot bëhen 108 vite nga ngritja e Flamurit!

*Artikulli i marrë nga Ocnal.com, përkthyer dhe përshtatur në shqip për Tiranapost.al.E.B