Aktualitet

Prindërit lajmërojnë protestë të enjten për vrasjen e Martinit 14 vjeç, por si ndodhi ngjarja tragjike

Prindërit lajmërojnë protestë të enjten për

Prindërit do protestojnë ditën e enjte në orën 11:00 për vrasjen tragjike të Martinit, 14-vjeç.

Marshimi do të nisë nga Shkolla ‘Fan Noli’ drejt Ministrisë së Arsimit, nën moton ‘prindërit në protestë për sigurinë dhe arsimin e fëmijëve’.

Ky marshim ka për qëllim sensibilizimin e institucioneve dhe të shoqërisë, me qëllim që ngjarje të tilla të parandalohen në kohë.
Po si ndodhi ngjarja tragjike?

14-vjeçari Martin Cani, u sulmua me thikë dje, (e hënë, 18 nëntor) pas një konflikti me një moshatar tjetër, shumë pranë ambienteve të shkollës "Fan Noli".

Ngjarja ka tronditur të gjithë opinionin publik.

I mituri humbi jetën rrugës për në spital, pas plagëve të marra në zemër.

14-vjeçari, që kishte pasion futbollin, përshkruhet nga shokët dhe shoqet si një njeri joproblematik, i qetë dhe që i shmangej gjithmonë konfliktive.

Autori i ngjarjes, po ashtu 14 vjeç është arrestuar nga policia për vrasje me paramendim.

Çfarë e bën ngjarjen edhe më tragjike është fakti se autori pas ngjarjes postoi video me thikë në rrjetet sociale, duke mos shfaqur as pendesë e ndjeshmëri për jetën e pafajshme që mori, as për djaloshin tjetër që gjithashtu plagosi duke u përpjekur të ndalonte tragjedinë. Luisi, po 14 vjeç, shoku i Martinit që u përpoq të ndalonte ngjarjen, është në spital në luftë për jetën.

Shkaku i konfliktit dhe si ka rrjedhur ngjarja konkretisht, mbetet ende i paqartë. Ndërkohë që autori 14-vjeçar është vënë në pranga sot, një ditë pas ngjarjes.