Aktualitet

Unaza e Madhe, IKMT nis shembjen e 20 objekteve në Astir

Unaza e Madhe, IKMT nis shembjen e 20 objekteve në Astir

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit prej mëngjesit të sotëm ka nisur prishjen e 20 objekteve në gjurmën e Unazës së Madhe, Loti III në Astir.

Objektet janë të madhësive nga dy deri në katër kate, me funksione të ndryshme.

IKMT bën me dije se njjë pjesë e tyre janë shpronësuar sipas legjislacionit në fuqi, ndërsa një pjesë janë skualifikuar. Deri tani, aksioni i IKMT ka vijuar i qetë.

Drejtuesit e automjeteve nga sot duhet të përdorin Rrugën e Ndroqit ose Rrugën e Elbasanit, në rastet kur duan të vijnë për në Tiranë. Ky propozim vjen pasi deri në katër muajt e ardhshëm segmenti rrugor në Unazën e Re pranë rreth rrotullimit të “Shqiponjës” do të ketë një trafik të rënduar, për shkak të nisjes së fazës së tretë të punimeve.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, njoftoi planin për menaxhimin e trafikut, ndërsa tha se pjesë e këtij plani do të jetë udhëzimi i drejtuesve të automjeteve që vijnë nga Durrësi për të përdorur rrugën e Ndroqit, si dhe nga Rrogozhina drejt rrugës së Elbasanit. Jaupaj u shpreh se do të lihet një korsi emergjence duke qenë se për shkak të situatës së Covid-19, urgjencat mjekësore do të jenë më të shpeshta.