Tërmeti katastrofik në Turqi/ Shkon në 1500 numri i viktimave

Më shumë se 1,500 njerëz janë vrarë dhe mijëra të tjerë janë plagosur në Turqi dhe Siri, pas një prej tërmeteve më të fuqishëm në dekada që goditi rajonin herët të hënën.
Anëtarët e komunitetit ndërkombëtar, duke përfshirë NATO-n dhe BE-në, i kanë ofruar ndihmë qeverisë turke pas katastrofës, ndërsa ekipet e shpëtimit po përpiqen të gjejnë të mbijetuar në rrënojat e ndërtesave të rëna.
Lëkundjet që zgjatën më shumë se 2 minuta tronditën banorët pas orës 2 të mëngjesit të së hënës. Epiqendra ishte pranë qytetit të Gaziantep me thellësi rreth 7 km.
Ndërkohë që dy tërmete të tjera shumë të fuqishme janë regjistruar në Turqinë qendrore, të magnitudave 7.5 dhe 5.9 të shkallës Rihter. Qendra e këtyre dy pasgoditjeve ka qenë në Elbistan, pak më shumë se 125 kilometra në vijë ajrore nga Gaziantep.