Videot e 20 vjeçares ukrainase rreth luftës bëhen virale në TikTok: Dua që njerëzit të kuptojnë se kjo është problem i të gjithëve
Marta Vasyuta një ukrainase 20-vjeçare, është bërë shumë e famshme në TikTok pasi një nga videot që tregonte sulme ruse mbi banesat e ukrainasve u bë virale.
Deri javën e kaluar ajo kishte vetëm disa qindra ndjekës në aplikacion, por teksa gjatë pushtimit rus të Ukrainës mbeti e bllokuar në Mbretërinë e Bashkur ku kishte shkuar për të takuar miqtë e universitetit, nuk mund të bënte gjë tjetër veçse të ndante në TikTok video të bombardimeve ruse.
Kështu Marta fitoi pothuajse brenda natës mijëra ndjekës dhe, veçanërisht për të rinjtë u bë një nga burimet kryesore të lajmeve nga terreni i Ukrainës. Që nga 23 shkurti, videot që ajo ka postuar nga konflikti në Ukrainë numërojnë dhjetëra miliona shikime.
@martavasyuta That is for those who say Russian soldiers are kind #ukraine ♬ original sound - Marta Vasyuta
"Unë dua vetëm që njerëzit të kuptojnë se kjo që po ndodh nuk është vetëm një problem i ukrainasve, por është problem i të gjithëve," thotë ajo.
Marta flet rrjedhshëm ukrainisht, rusisht dhe anglisht. Sapo dëgjoi për pushtimin, ajo filloi të bëhej pjesë e grupeve ukrainase në aplikacionin e mesazheve Telegram. Telegrami po përdoret jashtëzakonisht shumë në Ukrainë dhe njerëzit dërgonë vazhdimisht video aty. Marta i shikonte dhe filloi t'i shpërndante.
“Telefoni im është i mbushur me të gjitha videot, të gjitha lajmet që kam gjetur”, thotë ajo.
Më pas ajo u përpoq të verifikonte videot, duke parë komentet e lidhura me to.
"Unë lexoja që njerëzit thoshin se ‘kjo është e vërtetë, kjo është ajo që po ndodh tani’."
Ajo i postoi videot në TikTok dhe më pas fjeti.
"Në mëngjes u zgjova dhe kontrollova TikTok-un tim, videot kishin nëntë milionë shikime," tregon ajo.
Shumë njerëz të tjerë janë bërë influencues të TikTok, si Marta, pothuajse brenda natës. Videot e saj kanë më shumë se 17 milionë pëlqime dhe tani ajo numëron 200,000 ndjekës.
Ekspertët, megjithatë, paralajmërojnë se megjithëse TikTok mund të shërbejë për të parë video nga terreni, ekziston edhe rreziku i dezinformimit.
Marta pranon se përpjekja për të verifikuar përmbajtjen mund të jetë e vështirë. Edhe nëse një video është nga Ukraina, dhe njerëzit flasin ukrainisht, videot mund të jenë të kohëve më parë, nga konflikti i gjatë në lindje të vendit që filloi në 2014. Dhe ajo pranon se nuk është eksperte në verifikimin e videove.
Megjithatë disa nga videot që ajo ka shpërndarë janë konfirmuar nga mediat si të vërteta. Për të, të qenit një vajzë e re, nga Ukraina, e bën të afërt me një audiencë më të gjerë.
"Kjo i bën ata të më besojnë më shumë, t’i besojnë më shumë videot e mia," thotë ajo.
Marta ka familjen në Ukrainë dhe është e shqetësuar për sigurinë e tyre. Por duke përhapur këto video, ajo beson se po ndihmon botën, dhe veçanërisht audiencën në moshë më të re, të shohin se çfarë po ndodh vërtet atje. Duke pasur parasysh që ajo tani ka ngecur në MB, TikTok-u është mënyra e saj për të bërë diçka.