Aktualitet

Po ju përdorin! Shqiptarë të ndershëm marshoni me Zharrzën

Po ju përdorin! Shqiptarë të ndershëm marshoni me

Nga Matilda Terpollari/ Teatri absurd i është rikthyer shfaqjes në Shqipëri sërish me çadra përpara Kryeministrisë. Por këtë herë ka ndërruar vendin e personazheve: dikush në Kryeministri, dikush në çader e dikush në Rogner. Po mos të shikojmë portretet ne nuk e dimë më se e kujt është çadra dhe e kujt është Kryeministria.

S’ka asgjë të re. Janë ndërruar personazhet. Ata që ishin në zyrë kanë zbritur në bulevard dhe ata që ishin në bulevard shikojnë nga dritarja e Kryeminstrisë. Rotacioni i pushtetit, nuk ka më se cfarë të prodhojë përvec karuselit ku kanë hipur e po rrotullohen. LSI, PD dhe PS po orvaten të shtojnë seritë e një filmi që ja dinë të gjithë fundin.

Grevistët e Zharrzës ndërkohë po mbërrijnë. Gjysma e tyre janë me shapka e dini apo jo? Janë me këpucë të grisura nga kilometrat. Rrobat i kanë me pluhur dhe ju janë shqyer nga të fjeturit jashtë. Nuk ju ndahet më lëkura nga pluhuri i rrugës që lëshojnë makinat. Nga ana tjetër aktorët e teatrit nuk lëvizin. Si ata poshtë në çadër ashtu dhe ata në Kryeministri. Makinat luksoze qëndrojnë të parkuara në fund të Bulevardit. Ndërkohë marshuesit po bëjnë kilometrin e 80-të në këmbë. Gjatë dy netëve janë ngrohur me zjarr dhe me duart e tyre. Këmbët ju lëvizin më ngadalë, ndërkohë asnjëri prej aktorëve te teatrit kryeministror nuk ka nisur makinën që t’i marrë. Ata nuk duan ta njohin elektoratine tyre të vërtetë, që po drobitet në rrugën nacionale Tiranë-Durrës.

Grevistët po marshojnë drejt ministrisë së Energjitikës, sepse e dinë mirë, që në godinën e re ku performojnë “artistët” e saj, dhe në sheshin perballë s’ka më vend për ta. Grevistët e Zharrzës e kanë të qartë, që po shkuan atje, artistët brenda dhe jashtë kryeministrisë, do t’i zbavisin aq shumë, saqë ata do harrojnë pse erdhën e thjesht do shndërrohen në pjesë të shfaqes absurde në bulevardin e kryeqytetit. Mallkimi kinez (që duket si urim) “jetofsh në kohëra interesante”, duket se ka zënë gjithë shqiptarët. Në kohëra interesante ngjarjet në Shqipëri ia kanë kaluar çdo filmi horror aksion, komedi, apo çdo lloj zhanri tjetër. Nuk mungon asgjë. Po konkurohet çdo lloj programi televiziv me shfaqen live të këtij reality show. E dini pse?

-Sepse partitë e mëdha duan të zgjerojnë elektoratin e tyre para zgjedhjeve me cdo kusht. Nuk ju intereson fare se ç’thotë Evropa, apo Amerika… Asnjërës palë nga teatri-cirk që po ndjekim, nuk i intereson shqiptari i thjesht që do votojë në Qershor. Në fund të fundit të gjithë janë kurioz kush do jetë në çadër zyrë e Rogner pas 18 Qershorit, në Deja vu-në absurde shqiptare të radhës. Për mua ky nuk është kuriozitet.

Braktiseni cirkun e çadrave qytetarë të ndershëm dhe mblidhuni rreth marshuesve. Tregoni se vetëdija politike e shqiptarëve është në një tjetër nivel. Tregoni se mund të mblidheni rreth tyre më shumë se rreth partive në mitingje. Grevistët janë partia juaj. Ka ardhur koha që shqiptarët të zgjedhin popullin dhe jo politikanët./ Copyright Tiranapost.al