Tom Doshi shkon të regjistrohet në KQZ pas paralajmërimit të ambasadores Yuri Kim: Të mos kandidojë

Dy ditë pas mesazhit të ambasadores amerikane e cila publikoi një vendim të DASH për ndalimin e Tom Doshit për të shkuar në SHBA, ky i fundit ka depozituar pranë KQZ-së kërkesën për t'u bërë pjesë e garës me 25 prill. Mësohet se Tom Doshi ka kërkuar që të regjistrohet në statusin e kryetarit të PSD-Partia Social Demokrate.
Kryeministri Rama u pyet dje për postimin e ambasadores në lidhje me Tom Doshin ku tha se nuk ka nevojë të përdoret ambasadorja për ti kujtuar detyrën që ka përpara ligjit.
Ndërsa gjatë një interviste të dy ditëve më parë, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi tha se vendimi për të lejuar apo jo kandidimin e një shtetasi nuk i takon atij, teksa është sanksionuar me ligjin e dekriminalizimit se cilët kandidatë skualifikohen dhe cilët jo.
Deklarata e Celibashit:
“Mund të them se çfarë unë thashë në takimin me ambasadoren se çfarë ka thënë ambasadorja është vetë në pozitën për ta bërë deklarimin. Nga ana e KQZ-së është prezantuar gjithë çfarë KQZ-ja është duke bërë në lidhje me këto zgjedhje. Gjithë range i veprimeve dhe i akteve, të cilat kishte miratuar KQZ-ja deri në atë moment dhe në perspektivën e miratimit dhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me infrastrukturën dhe logjistikën zgjedhore. Këtë çështje e ka zgjidhur Kushtetuta dhe ligji, ajo çfarë është e përcaktuar në Kushtetutë dhe ligj do të thotë që është interesi publik, do të thotë që është morali brenda, e mira publike në fund të fundit. Institucione të cilat kanë përgjegjësinë për të zbatuar Kushtetutën, qoftë drejtpërsëdrejti, qoftë edhe ligjin, kanë përgjegjësi vetëm e vetëm t’i qëndrojnë strikt, germë për germë, Kodit Zgjedhor. Duke bërë këtë kemi respektuar dhe frymën e ligjit dhe kemi përmbushur interesin publik për çdo aspekt, qoftë dhe ato me sensibilitete të larta publike.”
Postimi i ambasadores Yuri Kim:
“Ndërsa autoritetet zgjedhore të Shqipërisë përgatisin zgjedhjet, ia vlen të kujtohet ky paralajmërim i bërë nga Sekretari i Shtetit në SHBA-së pas shqyrtimit të kujdesshëm të informacionit. Me siguri, votuesit e Shqipërisë meritojnë më shumë”.
*Tiranapost.al.