Shënime në Blog

Teoria e gjithçkaje: A mund të gjendet arsyeja e ekzistencës?

Teoria e gjithçkaje: A mund të gjendet arsyeja e ekzistencës?

Nga Erjon Uka/ “Çfarë vendi do të mbetej për krijuesin?” Është kjo një ndër pyetjet e shumta që Stephen Hawking bën në librin e tij, i konceptuar si një cikël i shkurtër leksionesh, me titullin sfidues “Teoria e gjithçkaje”. Nga idetë e përgjithshme mbi universin, te zgjerimi i tij, vrimat e zeza dhe drejtimi i kohës, Hawking arrin përsosmërisht të japë një panoramë të plotë të pozicionit tonë në kohë dhe në hapësirë.

Siç edhe dihet, i prekur nga skleroza amiotrofike laterale, Hawking kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në karrige me rrota, tërësisht i paralizuar, e megjithatë kjo nuk e pengoi aspak që jo vetëm ta zhvillonte punën kërkimore shkencore nga katedra e Kembrixhit, por mbi të gjitha të ishte një personazh provokativ dhe njëkohësisht i dashur nga publiku. Sepse shkencën dhe teoritë e koklavitura tentoi t’i shpjegonte thjeshtë, qoftë përmes ilustrimeve apo edhe pjesëmarrjes në “Star Trek”.

Me një autoironi karakteristike, në autobiografinë e vitit 2013, shkruante se “për kolegët e mi, jam një fizikan si gjithë të tjerët, por për publikun e gjerë ndoshta jam kthyer në shkencëtarin më të famshëm të botës. Kjo i detyrohet pjesërisht faktit se unë i korrespondoj stereotipit të gjeniut me aftësi të kufizuara. Nuk mund të fshihem pas parukes ose syzeve të trasha: karrigia me rrota më tradhton.”  E vërteta ishte kjo dhe Hawking nuk kërkoi kurrë të gjente justifikime për gjendjen e tij. U përball me argumente me këdo, provokoi dhe sfidoi tabutë shkencore dhe popullore. Mendja e tij ishte në univers, por veprimet e tij në Tokë. Nuk ishte besimtar, por respektoi ekzistencën hipotetike të Zotit, e pikërisht për këtë fakt, në një farë mënyre sfidoi fatin e tij, duke mos iu nënshtruar paralizës dhe karriges me rrota, kufizimit në të folur dhe problemeve të punësimit: Ai gjeti gjithmonë mënyrën për të ecur.

U nda nga jeta më 14 mars 2018 dhe të nesërmen, më 15 mars, të gjitha gazetat perëndimore,  kishin në faqe të parë pikërisht lajmin e ikjes së një prej mendjeve më brilante. Pak javë mbrapa, krejt rastësisht, më ra në dorë libri “Teoria e gjithçkaje: Historia dhe fati i universit”. E lexova me një frymë dhe mendova që ndonjë pasazh mund ta përktheja për blogun tim në Tiranapost, thjesht si një kontribut për të sjellë pak nga mendimi i tij në shqip, gjë e cila nuk ndodhi, sepse përfundova duke e përkthyer të gjithë librin i cili tashmë është botuar nga shtëpia botuese “Minerva”.

I nisur me paragjykimin e filmit me të njëjtin titull, u zhgënjeva pozitivisht pasi libri nuk ishte një histori e bukur romantike, por një libër mirëfilli fizik dhe shkencor, një koncetrat i thjeshtëzuar që jep botëkuptimin e Hawking, e megjithatë kërkon forcërisht përqëndrim dhe kthjelltësi në lexim.

Ama humori i hollë anglez nuk mungon asnjëherë. Siç dihet, të gjitha energjitë kryesore të Hawking u përqëndruan te vrimat e zeza, bastet për ekzistencën e së cilave nuk kanë rreshtur. Në një prej pasazheve të librit “Teoria e gjithçkaje”, Hawking tregon për bastin me Kip Thorne nga California Institute of Technology me një abonim katër vjeçar në revistën “Private Eye”. Nëse do ta humbiste, e gjithë puna e një jete do të konsiderohej e çuar dëm, por të paktën do të ngushëllohej me leximin e kësaj reviste, nëse fitonte, çmimi Nobel do të ishtë mëse i merituar. Prandaj kur në prill të vitit 2019 u arrit të kapej fotografia e parë e një vrime të zezë, nuk kishte se si mendja mos të shkonte te Stephen Hawking, i cili pati një kontribut të pashlyeshëm në riorganizimin e modeleve të universit dhe të asaj çfarë gjendet brenda tij.

Teoria e gjithçkaje: A mund të gjendet arsyeja e ekzistencës?

Hawking mendonte se gjendja e universit me gjithë sa ai përmban, duke na përfshirë edhe ne, është krejtësisht e përcaktuar nga ligjet e fizikës, brenda limiteve të vendosura nga parimi i papërcaktueshmërisë dhe e njëjta gjë vlen edhe për vullnetin e lirë. Megjithë polemikat që ka pasur për ekzistencën apo jo të Zotit, ai as në këtë libër nuk e ka mohuar diçka të tillë. Duke i qëndruar idesë se hapësira dhe koha mund të formojnë një sipërfaqe të mbyllur, por pa kufij, “parashikon” edhe rolin e Zotit në çështjet e universit, duke thënë se “dora e krijuesit” mund të ekzistojë, por natyrisht veprimtarisë së Zotit i duhen “vendosur kufij” në përputhje me ligjet e fizikës. “Mund të thuhet se “kushti i kufijve të universit është ai i të mos pasurit asnjë kufi”. Kështu që universi do të ishte komplet autonom, i mbyllur në vetvete dhe nuk do të ishte subjekt i asnjë ndikimi të mundshëm të jashtëm. Nuk do të ketë qenë krijuar kurrë e nuk do të shkatërrohet asnjëherë: ai thjesht ekziston”, shkruan Hawking në librin “Teoria e gjithçkaje”.

Një ndër tezat e tij është se koha ndodhet në sinkron me drejtimin e zgjerimit të universit. Pse ne kujtojmë të shkuarën dhe presim të ardhmen, në vend se të kujtojmë të ardhmen dhe të shkojmë drejt së shkuarës? Pse shohim filxhanin që bie nga tavolina, thyhet, ndahet në dhjetëra copa, dhe nuk shohim dhjetëra copa qeramike që puthiten me njëra-tjetrën dhe ngjiten në tavolinë në formën e filxhanit? Pikërisht sepse universi nuk është një realitet statik, por është vazhdimisht në zgjerim dhe koha ecën drejt së ardhmes. Do të vijë një ditë që universi do të nisë tkurrjen dhe sipas Hawking, atëherë koha do të kthehet mbrapsh. Por ne me shumë gjasa nuk do të ekzistojmë më.

Sfida kryesore e Hawking ishte që të ndërtonte një teori të përgjithshme të unifikuar të universit dhe specifikisht ai e vinte theksin në rëndësinë që këtë teori ta kuptonin të gjithë, të paktën në linja të përgjithshme. Aktualisht kemi një sërë teorish të pjesshme, që fillojnë me teorinë e relativitetit të përgjithshëm, mekanikën kuantike, termondinamikën apo elektromagnetikën. Kërkimin e një teorie të tillë gjithëpërfshirëse ai e quan “unifikim të fizikës”. Megjithëse thotë se mundësia që të ekzistojë një teori e unifikuar ka po aq probabilitet sa ekzistenca e vetëm një numri të pafundëm teorish që e përshkruajnë gjithmonë e në mënyrë më të saktë ose që nuk ka asnjë teori të universit, pasi çdo gjë që ndodh përtej një limiti të caktuar, ndodh në mënyrë rastësore apo arbitrare. Dhe kjo është ndër meritat kryesore të tij: që e bëri shkencën të fliste thjeshtë dhe të lexohej me ëndje si një artikull mode apo me kureshtje si një lajm sporti.