Videopodcast

Vjosa Berisha: Matematika me të cilën do ta shëroj unë kancerin!

Vjosa Berisha: Matematika me të cilën do ta shëroj unë

Nga Mira Kazhani/ Në këtë mars po flasim për gratë, jo siç kemi bërë çdo vit, por për shkak të luftës, ato shfaqen me një tjetër lartësi. Gratë janë të forta. Kush nuk e di sa frikë kanë burrat nga dentisti apo një temperaturë e lehtë?! Ndoshta se ata janë të projektuar pa dhimbjen, që për gratë është kusht që jeta të triumfojë.

Tani të kuptohemi, ka gra llastica, intrigante, etj etj, por mua më pëlqen të intervistoj ato të dhimbjes dhe forcës, sepse lexuesit në Tiranapost janë një ekosistem i vyer dhe uroj mos t`i kem zhgënjyer deri më sot me personazhet që zgjedh. Nëse do ndodhë ndonjë ditë, do të më vijë keq.

Vjosa Berisha! Nuk e njihni të gjithë, por me siguri ka plot në Tiranë që e dinë Vjosën me flokët karrotë dhe energjinë e dlirë të saj. Nga të parat dhe ndoshta të paktat prishtinalie që ka rezistuar me biznesin e saj në Tiranë. Kur e pashë pa flokë, verën që shkoi mendova një trend, por më vonë mësova se ishte thjesht për shkak të kimioterapisë.

Po të shkoni tani, ndërkohë që lexoni këto rreshta, dhe të hapni Instagramin e Vjosës (link) do shihni një njeri që vishet plot stil, që bën gym, që qesh fort e puthet. Jeton sikur sëmundja të jetë aty, por nuk e ka sëmurur jetën e saj. Është thjesht në trup dhe jo në mendjen e Vjosës.

Gjatë intervistës me të, përjetova një çlirim dhe e gjeta veten duke mos folur me arra nëpër gojë, sepse ajo e bëri aq të thjeshtë bisedën tonë, pa u ndjerë në siklet se mos nuk duhej ta përmendja kancerin. Tani që e mendoj dhe sa herë do ta mendoj Vjosën, do kem besim se njeriu është doktori më i mirë i vetes, psikologu apo mësuesi i letërsisë dhe matematikës.

S`di nëse shumë nga ne do e kishin atë ushtri brenda kraharorit që mund çdo dyshim, apo tabu, por Vjosa Berisha që po shkon tek të 50-tat është një shëmbëlltyrë e forcës dhe dhimbjes. Dhe si një nxënëse e mirë në matematikë ajo do t`ju zbulojë formulën me të cilën po shëron kancerin.

Video podkaste

Intervista e transkriptuar:

Mira Kazhani: Je dhe shumë stil gjithmonë në veshje. Kemi bërë dhe një kombinim sot me të kuqen. Po më pëlqen.

Vjosa Berisha: Është “shades of red”. I kemi bërë këtu bashkë në teatër edhe mendoj që e kuqja shkon edhe me teatrin kështu që është shumë “nice”.

Mira Kazhani: Me të gjitha shkon e kuqja. Me jetën, me dashurinë, me gjërat e mira. Simbol i bukur është.

Je kosovarja e parë që kam takuar në jetë Vjosa.

Vjosa Berisha: Unë ndoshta jam kosovarja e parë që kam mbijetuar me biznes këtu në Tiranë, për një kohë të gjatë. Sa i përket biznesit të PR-it. Se kemi qenë disa kompani të PR-it që jemi zhvendosur në njëfarë kohe këtu në Tiranë dhe kompania ime në fakt ka punuar më gjatë. Ka pasur mjaft projekte këtu. Unë e kam shijuar shumë Tiranën. Tani vij pak më rrallë, sepse jam e zhvendosur diku tjetër në rajon. Tani jam në Maqedoni më shumë. Mirëpo Tiranën e kam në zemër. Kemi edhe apartament në fakt në Tiranë edhe ndihemi totalisht tirans, bashkë me Fatosin.

Mira Kazhani: Po në fakt do ta thosha këtë, që je prishtinalia më tiranse. Ka shumë që e duan Tiranën. Gjithë kosovarët e duan Tiranën, sikundër ne e duam Prishtinën, po për shkak edhe të detit ju vini pak më shumë.

Vjosa Berisha: Më shpesh.

Mira Kazhani: Është e vërtetë. Më shpesh. Ti ke jetuar këtu dhe ke punuar. Ke një lidhje me Tiranën. Të mungon tani që nuk je, edhe je në Shkup. Edhe çfarë të mungon më së shumti nga Tirana?

Vjosa Berisha: Më mungon jeta e natës, sepse është shumë e bukur. Në një kohë Prishtina është mburrur shumë me jetën e natës, por kemi pasur disa kryebashkiakë, njëri pas tjetrit, që e mbytën jetën e natës dalëngadalë në Kosovë, në Prishtinë.

Mira Kazhani: Çfarë kishin me jetën e natës?

Vjosa Berisha: Po nuk e di. Filluan me këto mbylljet herët. Jo zhurma në qendër, jo pengon kjo, pengon ajo. Nuk ishin si kryebashkiaku juaj që është shumë më përparimtar në këtë aspekt, edhe kështu që Tirana na e ka marrë atë trendin e jetës së natës dhe mendoj që ka një jetë natë shumë të bukur në Tiranë. Ka shumë lokale. Unë veçanërisht e dua edhe ushqimin që shërbehet në restorantet në Tiranë. Është shumë i veçantë. Këto janë gjërat që më mungojnë. Pastaj ka edhe shumë gjëra të tjera që…

Mira Kazhani: Që s`të mungojnë… Për shembull çfarë nuk të mungon? Trafiku?

Vjosa Berisha: Trafiku, ndoshta ndotja pak shumë e madhe e ajrit, e rrugëve të cilat fatkeqësisht nuk janë më mirë as në Prishtinë, as në Shkup ku jam tani. Por megjithatë këto janë ato që mund të përmenden.

Mira Kazhani: Vjosa, unë padyshim kam shumë pyetje për ty. Do ta nis pak nga fundi. Do ta nis me fotografinë që pashë në verë, në Instagramin tënd, ku për herë të parë të pashë me flokët që i kishe prerë.

Vjosa Berisha: Po. Pa flokë më pe (qesh).

Mira Kazhani: Po. Të pashë pa flokë. Mungonin ato flokët ngjyrë karrotë, tipike të tuat. Mendova fillimisht që ishte thjesht një nga ekstravagancat, pjesë e stilit tënd. Po më vonë kuptova që nuk ishte kjo arsyeja dhe ishte sëmundja.

Vjosa Berisha: Po, patjetër. Për mua, meqënëse e nise tek flokët. Ai ka qenë momenti që më është dashur të heq flokët apo ranë dhe m`u desh që t`i hiqja komplet. Ka qenë momenti kur unë në jetën time i kam pasur më të gjatë “ever” flokët. Unë shumë gjatë, nja 17 vite i kam mbajtur të shkurtër flokët. Tirana nuk më njeh ashtu. Se kur erdha këtu më ishin rritur. Por që vitet e mia të rinisë i kam kaluar me flokë shumë të shkurtër. Faktikisht, ashtu siç e ke menduar ti, që mund të jetë “hairstyle” dhe shumë njerëz në Kosovë që më njihnin për atë kohë, kanë menduar që është thjesht një trend që unë kam vendosur ta bëj. Mirëpo nuk ishte ashtu. Edhe pse mua të them të drejtën flokët nuk më janë dhimbsur fare. Nuk e di se çfarë “attachment” kanë gocat me flokët që ndihen se nëse të bien flokët është e tmerrshme,por unë e kam ndërruar dhe e kam sjellë në një trend tjetër besoj edhe jam duke u kënaqur me “hairstyle”, me stilin që kam tani. Arsyeja pse ndodhi është shumë më serioze, pse unë u detyrova ta bëj. Unë në mars të vitit të kaluar, meqënëse e ndjeja që kisha një brengë, ndjeja që kisha diçka në pjesën e vezoreve, ndjeja diçka të fortë, si një gur, edhe shkova për një kontroll. Këtu madje qëllova, në Tiranë. Edhe kuptova që kisha kancer në vezore. Sigurisht që është lajm shumë shokues. Ishte edhe për mua lajm shokues, aq më shumë për Fatosin që ishte me mua. Mirëpo unë në jetë jam një tip që jam shumë praktike. Unë kam nevojë që çdo gjë që më ndodh, apo që më del përpara t`i vë në mënyrë matematike gjërat. T`i shtroj me numra, edhe të shoh se çfarë mund të zgjidhet tani, si është zgjidhja.

Mira Kazhani: Fantastike! Ajo që u mungon 90% të njerëzve. Mua po njëherë.

Vjosa Berisha: Unë në këtë mënyrë e bëra. Ndoshta sepse në shkollë kam qenë shumë e mirë në matematikë edhe e kam dashur matematikën shumë, paçka se mandej nuk e vazhdova matematikën. S`ka lidhje profesioni im. Po ja t`u desh tani. M`u desh në këtë moment. Kështu që bëra një kalkulim edhe thashë ok. Kjo tani do zgjidhje. Domethënë, sëmundja do të kurohet, të gjendet zgjidhja, edhe do t`i gjejmë doktorët, do t`i gjejmë gjërat edhe po qe nevoja do t`i gjejmë edhe lekët, për çfarëdo që të ndodhë. Edhe pastaj të gjitha shkuan dalëngadalë. Nuk e di nëse do që t`i shpjegoj me pika. Mirëpo mund të them që kanë qenë vetëm 3-4 ditë që mund të kem qenë në një lloj shoku. Po në momentin që e kuptova se në çfarë stadi është sëmundja, cilat janë zgjidhjet, prej atij momenti kam qenë shumë praktike. Në të njëjtën mënyrë siç jam edhe në punë, edhe në jetë,edhe në kënaqësi.

Mira Kazhani: Pyetja që më vjen Vjosa është dhe vlen për të gjitha gratë edhe këdo që e ndjek. I bëje vizitat rutinë? Ke qenë një njeri i rregullt me kontrollet për shëndetin?

Vjosa Berisha: Unë vizitat rutinë i bëj nga mosha 40-vjeçare, çdo vit. Po edhe përpara i kam bërë rregullisht. Njëherë në vit, zakonisht në janar, kam bërë analizat e gjakut. Kam bërë edhe kontrollet e gjirit dhe kontrollet gjinekologjike, të gjitha. Këto kanë qenë rutinë. Nuk kanë munguar asnjëherë. Normalisht, në vitin e pandemisë, që ishin në një kohë të mbyllura të gjitha këto klinikat, unë kam problem edhe me tiroiden, kështu që pak u vonua ai kontrolli, por e kam bërë edhe në vitin e pandemisë, në 2020-ën dhe nuk doli ndonjë dyshim ose shqetësim. Mirëpo ja që ndodh që edhe kur bën të gjitha vizitat e rregullta, madje edhe kur ushqehesh mirë, sepse unë jam vegjetariane prej 6 vitesh, prej 5 muajsh jam vegane dhe ushtrohem prej 15 vitesh, dmth, bëj palestër në mënyrë shumë rigoroze, dhe palestër shumë më të rëndë, me “bodyweight”, po nuk vleka.Asnjë prej tyre nuk vleka kur vjen çështja e sëmundjes, sepse kjo, siç më kanë thënë, sepse isha edhe në Gjermani bëra një operacion, më kanë thënë se në të shumtën e rasteve është dinamika e jetës, është stresi, përveç asaj që është gjenetike. Mund të ketë në familje një histori. Po edhe stresi luan një rol shumë shumë të madh në vënien në pah të qelizave kancerogjene, të cilat ne i kemi në trup gjithsesi, por tek dikush vijnë në pah në një moment, tek dikush jo.

Mira Kazhani: Tani stresi me ty nuk më lidhet shumë me thënë të drejtën.

Vjosa Berisha: Unë nuk e tregoj. Nuk e shfaq. Po të organizosh një festival. Të bësh fushata siç kemi bërë fushata politike. Ne kemi bërë edhe shpalljen e Pavarësisë, se ishte javën e kaluar Dita e Pavarësisë, ne e kemi organizuar komplet Ditën e Pavarësisë, edhe fushatën e Pavarësisë në Kosovë. Kështu që kam pasur punë mjaft stresuese mendoj ndër vite, kështu që të vija deri tek kjo.

Mira Kazhani: Prindërit e tu, motrat, njerëzit e dashur, bashkëshorti, djali yt Leka, si e kanë përjetuar? Me këtë matematikën tënde, me këtë fuqinë tënde?

Vjosa Berisha: Matematika ishte një lloj kalkulimi, por motoja ime në gjithë këtë proces, sepse unë ende jam me terapi, jam ende duke marrë kimioterapi dhe jam ende në proces të shërimit, motoja ime është se përderisa nuk ma pengon jetën e përditshme, nuk ma pengon punën, dmth, jam unë zhvilluar një jetë, siç e kam zhvilluar para se ta zbuloj kancerin që e kam në trup dhe përderisa mua nuk më pengon në asnjë hap timin, atëherë unë do të vazhdoj edhe do ta jetoj jetën siç e mendoj. Siç e kam jetuar gjithmonë. Kjo pastaj ka bërë që edhe për Fatosin, edhe për Lekën, djalin tim, të merret si diçka normale. Sigurisht kam marrë këshilla edhe prej njerëzve që e kanë tejkaluar sëmundjen. Një gjë që mund ta them është se nëse e mendojmë dhe sillemi rrotull, ka shumë më shumë njerëz që shërohen nga kanceri, sesa njerëz që vdesin nga kanceri.Domethënë është sëmundje që neve e shohim si të rrezikshme, madje moshat e vjetra nuk duan ta thonë as si emër. Emrin e sëmundjes nuk e thonë. Edhe tek ne, edhe tek ju. Edhe i thonë sëmundje e keqe.

Mira Kazhani: Kanë stigmën.

Vjosa Berisha: Kjo për mua është një sëmundje mjaft moderne dhe që në jetën moderne po shfaqet më shumë, mirëpo e mira është që ka zgjidhje dhe terapia tani është mjaft e avancuar, kështu që në këtë aspekt mendoj që zgjidhjet janë shumë më shumë në anën pozitive, sesa në anën negative. Këto që po i them, unë i kam diskutuar sigurisht edhe me burrin tim, edhe me Lekën dhe një gjë që u kam dhënë këshillë, ma ka thënë një shoqja ime që është shëruar nga kanceri, është që të mos bësh hulumtime në Google. Domethënë mos e shkruaj në asnjë momentin emrin “kancer” në Google, sepse atëherë ajo është ajo që do të të krijojë panik edhe probleme. Sigurisht në muajt e parë unë nuk kam bërë asnjë hulumtim se nuk doja të çoja veten në atë “trip”. Tani më vonë edhe bëj hulumtime në lidhje me terapinë, efektet anësore.

Mira Kazhani: Ndoshta artikuj profesionistë edhe nga media serioze.

Vjosa Berisha: Po, tani është ndryshe. Ajo që ka ndihmuar djalin tim – është burrë ai, është 27 vjeç- është kjo që i kam thënë, mos u fut në Google të lexosh sepse po të futesh, për “ovarian cancer”, zakonisht thuhet që nuk ka shërim dhe është terminale. Kështu që atë e ka ndihmuar që ta kuptojë dhe ta ndjekë situatën time reale, jo të merret me gjëra që shkruhen e fliten.

Mira Kazhani: Si e sheh jetën një njeri që ka një problem me shëndetin?

Vjosa Berisha: Unë momentalisht e shoh jetën ashtu siç e kam parë deri tani. Për shembull punën që kam në Shkup, është punë që e mora pasi isha në gjysmën e kimioterapisë. Isha komplet “bald”. Më ftuan në intervistë. Mbarova intervistën dhe më morën në punë. Kjo është ekzaktësisht çfarë do të bëja edhe po të isha pa kancer. Organizimi i festivalit, udhëtimet e ndryshme të cilat unë i kam pasur qejf gjithmonë, vazhdoj t`i kem, tani që pandemia po hiqet ngadalë. Po e shoh shumë me admirim faktin që do të kemi edhe udhëtime të tjera. Kam edhe shumë udhëtime që s`kam bërë. Për mua jeta është totalisht normale deri në momentin që unë ndihem normalisht në suaza normale, me kimioterapi e me të gjitha, jam ok. Kështu që mendoj se është normale.

Mira Kazhani: Nuk ke mendime negative asnjëherë?

Vjosa Berisha: Normalisht që…

Mira Kazhani: Frikë për jetën? Frikë për të ardhmen?

Vjosa Berisha: Frikë jo sepse unë mendoj që do të shërohem. Domethënë frikë nuk kam. Mund të kem mendime negative. Ndonjëherë mund të kem edhe dhimbje. Sidomos mbas kimioterapisë, mbas 3-4 ditësh, ka një lloj lodhje apo efekte anësore të ndryshme dhe në ato momente mund të jem pak “down”, mund të ndihem pak keq, por në përgjithësi jo. Të vetmet gjëra që mund të them që m`i ka ndërruar ky stil i ri i jetës, janë që më ka bërë më të shëndetshme në aspektin që jam bërë vegane. Po duhanin për shembull e kam lënë. Kam lënë alkoolin pothuajse komplet.

Mira Kazhani: Ato nuk të duhen. Nuk ka problem.

Vjosa Berisha: E shijoj shumë kohën kur dal në një lokal dhe pi ujë me lime. Është një ndër pijet më të lezetshme mund të them.

Mira Kazhani: Do shkojmë në disa pyetje shumë shkurt që më pëlqen t`i marr prej teje.

Si do ma përshkruaje me një fjalë Tiranën?

Vjosa Berisha: “Colorfull”, me ngjyra.

Mira Kazhani: Prishtinën?

Vjosa Berisha: Artistike.

Mira Kazhani: Vajzat e Tiranës?

Vjosa Berisha: Cool.

Mira Kazhani: Vajzat e Prishtinës?

Vjosa Berisha: Chic.

Mira Kazhani: Unë për shembull do thoja vice-versa.

Burrat e Tiranës, Shqipërisë?

Vjosa Berisha: “Talkative”.

Mira Kazhani: Flasin shumë.

Vjosa Berisha: Flasin shumë.

Mira Kazhani: Janë të muhabetit. Apo flasin shumë, e teprojnë?

Vjosa Berisha: Janë muhabetxhinj (qesh).

Mira Kazhani: Po të Prishtinës?

Vjosa Berisha: Flasin pak.

Mira Kazhani: Gjë e mirë apo…?

Vjosa Berisha: Mezi ua nxjerr fjalën prej gojës. Jo. Nuk është e mirë.

Mira Kazhani: Mediat e Tiranës? Televizioni në Tiranë dhe televizioni në Prishtinë?

Vjosa Berisha: Të dyja pa dallim janë zhurmaxhinj. Sidomos në këtë kohën tani, nuk e di, nuk i ndjek shumë mediat e Tiranës sa i kam ndjek përpara, por mediat e Kosovës, fatkeqësisht – se unë profesioniste e PR-it jam dhe kam shoqëri me mediat…

Mira Kazhani: Ndaj po të pyes

Vjosa Berisha: I respektoj shumë, por në kohët e fundit janë bërë të padurueshëm. Ka shumë debate të cilat më shumë bëjnë zhurmë sesa kanë një efekt apo kanë diçka cilësore.

Mira Kazhani: Më the në fakt që edhe për historinë tënde gjatë këtyre muajve, të kanë kontaktuar shumë edhe nga Tirana, dhe në Prishtinë, edhe në mënyrë të veçantë më the që i ke thënë “Jo” mediave në Tiranë. Po pse?

Vjosa Berisha: Mediave në Tiranë u kam thënë “Jo”, përveç teje.

Mira Kazhani: Është e kuptueshme. Dhe e vlerësoj shumë!

Vjosa Berisha: Ty të kam shumë mikeshë, edhe e dija që do të ishte një intervistë shumë e lezetshme.

Mira Kazhani: Faleminderit!

Vjosa Berisha: Këtë intervistë e kam bërë në disa media të Kosovës, por vetëm me kushtin që të flitej për punën edhe për profesionin dhe për mua, e jo për sëmundjen. Për mua është shumë e rëndësishme që mos të prezantohet në një intervistë viktimizimi apo viktima e një sëmundjeje. Se unë nuk e konsideroj veten se jam viktimë. Nuk e konsideroj veten se jam pacient, sepse pacienti rri shtrirë edhe kujdeset dikush për të. Unë madje edhe në kimioterapi shkoj vetë. Vetëm dy seancat e para kam qenë me dikë për të parë sesi shkon sistemi, si do të ndihem pas terapisë… Kur e pashë se mund ta ngas makinën, çdo gjë është në rregull, thashë ok, mua s`më duhet askush këtu. Sepse ambienti nuk është i përshtatshëm që njerëzit që nuk janë sëmurë të vijnë aty edhe të ndihen keq.

Mira Kazhani: Po të tjerët si vijnë? Vijnë me njerëz apo vetëm?

Vjosa Berisha: Vijnë me njerëz. Çdokush në terapi vjen me dikë që e përcjell. Një ose dy, ose pesë. Kështu që unë shkoj vetë. Ndonjëherë marr lap topin, ndonjëherë marr iPad-in shoh ndonjë serial Netflix-i, teksa bëj terapinë, pastaj mbaron. Shkon shpejt koha.

Mira Kazhani: E ke bërë kaq të thjeshtë, sa sinqerisht unë nuk kam frikë. Askush nuk do që të sëmuret, por mënyra sesi e transmeton dhe mënyra sesi e manifeston Vjosa është vërtet për t`u falenderuar.

Vjosa Berisha: Kjo është edhe arsyeja pse mendoj se intervista nëse duhet të bëhet, duhet të japë një mesazh që ata të cilëve u uroj të mos sëmurën kurrë, por nëse u vijnë situata të tilla, së paku të ndihen apo të marrin diçka prej asaj, se në çfarë gjendje jam unë.

Mira Kazhani: Për çfarë lutesh ti sot Vjosa?

Vjosa Berisha: Unë në fakt lutem për ato që jam lutur edhe më herët, por tani është shtuar që të kem edhe shëndet të mirë. Vetëm ajo është shtuar, që është lutje më e fuqishme besoj. Se edhe në kohët më përpara jam lutur që të kem shëndet të mirë unë dhe familja ime, që të kemi mirëqenie, që të kemi një jetë të mirë. Këto janë lutjet që bëj. Sigurisht një lutje më e madhe është për shëndetin tim. Janë përgjithësisht të gjitha ato që i kam menduar edhe më herët.

Mira Kazhani: Ke një njeri që ke harruar ta falenderosh, t`i tregosh dashurinë tënde për diçka apo vlerësimin tënd. Më the qëparë që ke harruar doktorin në Tiranë. Mund ta shfrytëzosh këtë moment. Se nuk ka kohë njeriu të takohet ndoshta.

Vjosa Berisha: Nuk e tregova në detaje atë që ka ndodhur, kur e zbulova sëmundjen. Kam qenë në spitalin Continental këtu në Tiranë, se në atë kohë Fatosi ishte me xhirime me serialin “Nina”, në Shqipëri, në Tiranë. Ngaqë qëlluam këtu, shkuam për kontroll atje. Në kontroll e sipër, një teknik i ekos, i ultrazërit, më bëri ultrazërin e abdomenit dhe nuk po fliste. Ishte shumë serioz. Edhe i thashë: Më fal, po ky është trupi im. A më tregon se çfarë je duke parë aty brenda? Se po ta shoh fytyrën që është tmerr. Ua, - më tha- ti ke kancer. Thashë: Si? Tha, ke kancer në vezore. Ke metastaza. I thashë, ok, a po e shkruan raportin se më duhet t`ia çoj doktorit tim në Kosovë? Më tha: Kaq normal po e merr? I thashë: Jo, thjesht po e marr me rezervë atë që më the ti. S`mund ta marr të mirëqenë se nuk e di a është ashtu. Por tani që unë shkova edhe në Gjermani, edhe ishte shumë e saktë ajo ç`ka pa ai në ultrazë, në fakt kemi folur me Fatosin, edhe kemi thënë që duhet të shkojmë ta falenderojmë atë djalin e ri, atë teknikun, sepse ishte shumë i mirë. E kishte parë shumë saktë dhe e zbuloi dhe është shumë mirë që ai e zbuloi që unë jam këtu ku jam tani.

Mira Kazhani: Po mirë, mund ta kishte thënë pak më mirë. E ka zbuluar mirë, por nuk e ka thënë mirë, mendoj. Kështu që edhe shumë faj nuk ke pasur.

Vjosa Berisha: E hutova unë, sepse ai në fakt kërkoi. Më pyeti: A je me dikë? Siç e thonë tek ne, tha: A e ke dikë me vete. I thashë: Jo, unë e kam burrin atje, po pi kafe jashtë, po ato ç`ka janë për mua, m`i thuaj mua. Edhe pastaj e hutova ndoshta, edhe e tha kështu.

Mira Kazhani: Vjosa, dua që të të komplimentoj nga zemra për këtë rrëfim! Shumë optimiste. E njëjta Vjosë. Më rrëzove 80% të pyetjeve.

Vjosa Berisha: Se flas shumë edhe unë.

Mira Kazhani: Jo, jo për atë. Sepse ato ishin kuriozitet… ti ashtu jeton. Nuk mund të të them cili është sekreti i betejave. Po bëj pak autoironi me veten tani. Ishte një bisedë që do doja që ta dëgjojnë sa më shumë. E them për shumë biseda këtu që mendoj se ia vlejnë. Ky është edhe qëllimi i kësaj interviste, i këtij podcasti. Unë mendoj që ti do jetosh 100 vjet.

Vjosa Berisha: Bashkë me ty. Faleminderit!

Ky podcast u mbështet nga Abi Bank

*E drejta për ripostim ndalohet pa lejen editorit

Çdo shtrembërim i fakteve online do të ndiqet në rrugë gjyqësore