Aktualitet

Arta Dade: Do t`u vijë radha të gjithëve

Arta Dade: Do t`u vijë radha të gjithëve

Ish-ministrja e Jashtme dhe e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, aktive në politikë për 25 në Partinë Socialiste, Arta Dade, në një rrëfim për gazetaren Mira Kazhani në “Intervista e Javës” ka folur për jetën e saj dhe jo vetëm. Ende e apasionuar pas zhvillimeve politike, ajo komenton edhe ngjarjet e fundit, siç është kriza e Partisë Demokratike dhe lufta pas shpalljes “non grata” të Sali Berishës. Kjo luftë nisi që pas përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i PD-së, nga Lulzim Basha, i emëruar prej vetë Berishës në krye të PD-së.

Sipas Arta Dades, megjithë dashamirësinë e ambasadorëve, Escobar kishte të drejtë, kur tha se në Shqipëri duhet të funksionojë drejtësia. Dade ka rezeva si për Partinë Demokratike, ashtu edhe për qeverisjen socialiste, dhe sipas saj radha do t`u vijë të gjithëve, por duhet të nisë nga Sali Berisha.

“Fundi i luftës është i vështirë që të parashikohet, por unë do ta uroja një tërheqje të z.Berisha. Për mua Saliu nuk duhet të ishte në politikë. Ne erdhëm në 2013-ën si Parti Socialiste në pushtet me kartën e luftës kundër korrupsionit. Për fat të keq, nuk u përgatit një dosje e cila duhej të çohej pranë prokurorisë. Përtej faktit se kush ishte prokuror dhe përtej faktit që ndoshta s`do të lëviznin as gishtin për të kryer veprime të mëtejshme. Të paktën para shqiptarëve, qeveria socialiste do ishte si të thuash, luajale me ato ç`ka kishte thënë në fushatë për të bërë drejtësi lidhur me luftën kundër korrupsionit. Për fat të keq kjo nuk u bë. Të shpresojmë që të bëhet tani dhe unë besoj që një nga frikërat e mëdha që ka Sali Berisha është pikërisht kjo. Sepse nëqoftëse ne do të vazhdojmë me politikën e pandëshkueshmërisë, e cila ka qenë vazhdimisht një nga vërejtjet kryesore në kriteret politike edhe në raport-progreset e Bashkimit Europian, pandëshkueshmëria, atëherë nuk e di se çfarë drejtësie do të bëhet. Prandaj unë mendoj që kjo është një frikë e madhe që ai ka dhe sigurisht më erdhi keq që ka mjaft personalitete të spikatur, kryesisht ata që u hoqën nga Lulzim Basha, të cilët më kanë befasuar që mund t`i shkojnë përsëri nga mbrapa Sali Berishës. Sigurisht u manifestua dhe u ekspozua si një procedurë demokratike. Unë nuk besoj që kjo është një procedurë demokratike, sepse po të ishte vërtet e tillë mund të kishte ndodhur dhe në partitë e tjera, kur ke një ‘remorse’ pra keqardhje që ti je larguar. Atëherë është shumë kollaj që të mblidhesh dhe të bësh të njëjtën gjë. Po në fakt kemi bërë ndonjëherë shaka ne, ore sikur t`ia bësh kështu, atij kryetarit të partisë dhe në fakt ka qenë një shaka që nuk mund të merrej si një gjë e vërtetë, sepse faktikisht njerëzit që kanë një formim të caktuar, qoftë edhe me këto parimet e demokracisë, njerëzit që kanë lexuar sadopak, s`dua të them që Saliu është i palexuar se Saliu ndoshta ka lexuar më shumë se kushdo tjetër, problemi është sa i ka bërë të tijat praktikat demokratike. Edhe kur ka drejtuar vendin, kur ka qenë në qeverisje unë nuk besoj që ai ka qenë një shembull i mirë për të zbatuar praktikat demokratike, përkundrazi.

Tani ka ardhur koha që Lulzim Basha po i pohon me gojën e vet shumë gjëra të cilat më mirë vonë se kurrë, sigurisht. Po kur njeriu nuk flet në momentin e duhur, ç`vlerë ka? Sepse po të kishte folur në momentin e duhur dhe po të ishin marrë masat në momentin e duhur, patjetër që vendi nuk do të kishte ngelur në vend numëro në shumë drejtime. Më vjen keq që edhe shumë analistë dhe shumë media e kanë mbështetur këtë veprim të Sali Berishës në një kohë kur ata duhet të kishin një mentalitet tjetër. Duhet të kishin mentalitetin që ‘Enough is Enough’. Vjen një moment që secili që ka bërë shkelje ligjore, kushdo qoftë majtas apo djathtas, patjetër që duhet të dalë përpara drejtësisë dhe nëse do të fillohet me Sali Berishën, unë jam e bindur që atëherë do të fillojnë njerëzit të besojnë që drejtësia po funksionon. Patjetër që duhet t`u vijë radha të gjithë atyre që kanë shkelur ligjin dhe kanë abuzuar me asetet e këtij vendi që paska qenë shumë i pasur për sa kohë ka pasuruar në mënyrë jo të ligjshme këta individë të cilët vazhdojnë të tallen dhe do të thoshte populli ‘të shijnë mbi kurrizin e këtij populli’”, thotë për Tiranapost Arta Dade.