Ish drejtuesja e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës tani është këshilltare e Ramës

Nuk ka një njoftim nga qeveria apo reagim nga vetë Vlora Hyseni, por mediat e Kosovës thonë se ish drejtuesja e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës tashmë do të jetë këshilltare e kryeministrit Edi Rama.
Media e Kosovës 'Express' që ka publikuar lajmin nuk specifikon se për çfarë konkretisht do ta këshillojë Vlora Hyseni kryeministrin Edi Rama, por ajo që dihet është eksperienca e gjatë e Hysenit si eksperte dhe njohëse shumë e mirë e çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, shtuar faktin që posedon disa gjuhë të huaja.

Kush është Vlora Hyseni:
Vlora Hyseni ka qenë zëvendësdrejtore e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës. Ajo ka udhëhequr AKI-në për katër muaj, duke mbledhur dhe shpërndarë informacione të rëndësishme për shtetin e duke i deleguar tek kryeministri dhe presidenti.
Ajo ishte në krye të institucionit më të lartë të sigurisë dhe inteligjencës në Kosovë që nga dhjetori i vitit të kaluar, pas shkarkimit të drejtorit Kreshnik Gashi deri në prill të këtij viti, kur në detyrën e drejtorit u emërua Petrit Ajeti. Në shkurt të vitit 2019, ajo u emërua zëvendësdrejtoreshë në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.
Vlora Hyseni u shkarkua para disa muajve nga kryeministri Albin Kurti dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, duke e lënë jashtë funksioneve të AKI-së.

Në kohën e shkarkimit të saj, nuk u qartësuan arsyet, por në njoftimin e publikuar thuhej se “Zbulimi ose mosruajtja e informacioneve të klasifikuara paraqet vepër penale të dënueshme sipas Kodit Penal të Kosovës dhe legjislacionin tjetër përkatës në fuqi që ka të bëjë me informacionin e klasifikuar”.
Ndërkaq, kryeministri Rama ishte sot në Kosovë, ku u takua me kryeministrin Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Kosovës.
Lidhur me temat e diskutimit, kliko linqet si më poshtë:
*Tiranapost.al.