Me 8 shtëpi dhe dy makina! KPK shkarkon nga detyra gjyqtaren e Apelit në Tiranë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dha sot vendimin për gjyqtaren e Gjykatës së Apelit në Tiranë, Zegjine Sollaku. Gjyqtarja nuk ishte e pranishme në seancë ku u njoftua shkarkimi i saj, pasi rezulton se nuk e kalon me sukses procesin e Vettingut.

Në seancën dëgjimore të KPK, u evidentuan pasaktësi në deklarime dhe mungesa burimesh financiare, në vlerën totale 7 milionë lekë.
Sipas raportit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit; bashkëshortët Zegjine dhe Theodhori Sollaku kanë në pronësi 8 apartamente,te verifikuara nga hetimi administrativ, disa garazhe, si dhe dy automjete.
Gjyqtarja Sollaku përfaqësohej nga bashkëshorti i saj avoka dhe ish-kryeprokurori i Përgjithshëm, Theodhori Sollaku.
Ai kundërshtoi gjetjet e komisionit duke thënë se sikurse ka rezultuar edhe nga hetimi administrativ, të gjitha transaksionet financiare janë kryer nga ana e tij, ndërsa shtoi se e shoqja gjyqtare ka qenë gjithmonë e fokusuar te detyra e saj.
Me gjasë gjyqtarja do të ankimojë vendimin e KPK dhe do të jetë Kolegji i Posaçëm ai që do japë vendimin për gjyqtaren.
Hetimi administrativ për Zegjine Sollakun u krye nga trupa gjykuese që kryesohet nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitajn dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
***
Zegjine Sollaku ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka punuar si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës në vitet 1992-2003. Prej vitit 2003, Sollaku e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Analiza e pasurisë është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për gjyqtarët, së bashku me kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale.
Skeda grafike e mëposhtme me deklarimet e pasurisë nga gjyqtarja Zegjine Sollaku.
