Art dhe Kulturë

Ndahet nga jeta shkrimtari Bardhyl Londo

Ndahet nga jeta shkrimtari Bardhyl Londo

Është ndarë nga jeta në moshën 74-vjeçare shkrimtari Bardhyl Londo, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë.

Prej dy muajsh ai ishte i shtruar në spitalin Onkologjik në Tiranë dhe gjatë 10 ditëve të fundit situata e tij ishte përkeqësuar dhe nuk arriti t’i mbijetonte sëmundjes.

Bardhyl Londo ka lindur në vitin 1948 në Përmet.

Ndahet nga jeta shkrimtari Bardhyl Londo

Ai u përket intelektualëve që ndanë gjatë jetës së tyre dhe angazhimin në politikë. Për shumë vite ai ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë nën logon e Partisë Demokratike.

Kritik ndaj qëndrimeve që mbahen sot ndaj letërsisë së sociorealizmit, ai bënte shpesh thirrje se duhet ndarë figura e artistit nga qëndrimi i tij politik dhe për ta gjykuar letërsinë pa qëndrimet politike.

Studioi për gjuhë dhe letërsi në Universitetin e Tiranës. Pas mbarimit të fakultetit ai punoi për disa vite mësues në Përmet dhe më pas për gazetën letrare “Drita”. Për disa kohë ka qenë kryetar i “Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve” (LSHA). Krijimtaria e tij letrare përfshin 8 vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni”.

Në Çmimet Kombëtare të Letërsisë, organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit dhe Ministria e Kulturës më 2021, ai fitoi vlerësimin për vëllimin poetik “Prill i hidhur” si vepra më e mirë poetike.