Art dhe Kulturë

Ndahet nga jeta violinisti ikonë Ethem Qerimaj

Ndahet nga jeta violinisti ikonë Ethem Qerimaj

Është shuar sot Mjeshtri i Madh i Violinës Ethem Qerimaj. Lajmin e ka dhënë djali i tij, artisti Fatos Qerimaj.

Ethem Qerimaj ishte 88 vjeç. Ai ishte i pari artist i familjes Qerimaj që sot numëron 9 artistë në 3 breza. Djemtë e Ethemit dhe nipërit e mbesat merren gjithashtu me muzikë.

Disa fjalë për jetën e tij

Para se të lindte ai, në shtëpinë e tij kishte kohë që dëgjoheshin tingujt e violinës, mandolinës dhe kitares. Zanatçinj me emër gjyshi dhe babai i tij, në gjithë trevën e Përmetit, jo për vegla muzikore, por në ndërtimin e mullinjve me ujë.

Ethemi mundi të argëtohej fillimisht me mandolinën. Më vonë djali me mandolinë filloi të shoqëronte babanë nëpër dasma. Një dyshe muzikantësh që prenotoheshin nga bashkëfshatarët e tyre. Erdhi koha që djali do të pëlqehej më shumë se sa babai dhe Filarmonia Shqiptare e vendosi atë 15-vjeçar, në krah të atyre burrave që kishin mbaruar studimet në konservatorët më të dëgjuar të kontinentit.

Tre vjet duke luajtur pjesë operistike dhe interpretuar në koncerte të ndryshme klasike. Mbrojtja e Atdheut e thërret ushtar në një nga fshatrat e Vlorës. Nuk kalon viti dhe mjeshtri i madh Gaqo Avrazi, duke shfrytëzuar momentin që ishte në sinorin ushtarak, e sjell në Tiranë duke i dhënë violinën e parë të Ansamblit të Ushtrisë. Dhe kur shokët e tij kryenin shërbimin ushtarak, Ethemi me violinën e tij i binte Azisë cep më cep. Gjashtë muaj nëpër Bashkimin Sovjetik, Kinë, Kore, Mongoli etj. Ky turne i Ansamblit të Ushtrisë e "gradon" Ethemin gjeneral, menjëherë sapo kthehet në Tiranë. Teatri i Operas dhe Baletit e bën violinist të parë.

Me ardhjen e demokracisë iu rritën dhe djemtë, fëmijët e djemve, që u bënë muzikantë si ai.