Bursa e parë private në Shqipëri, lehtësim për bizneset dhe mundësi për qytetarët
Nga Erjon Uka
Ditën e hënë, Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare licencoi bursën e parë private në Shqipëri, ALSE. Për ekspertin e ekonomisë Elvin Meka ky është një lajm shumë i mirë për sistemin financiar shqiptar, pasi ekzistenca e një tregu të organizuar të letrave me vlerë siguron burime financimi afatgjatë për shoqëritë tregtare.
Në një intervistë për Tiranapost.al, Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka tregon se ky është licencimi i dytë i një burse në Shqipëri, pas Bursës së Tiranës e licencuar në vitin 2002 si subjekt i pavarur nga Banka e Shqipërisë. Gjithsesi, lidhur me sfidat që do të ketë bursa ALSE, Meka argumenton se: “Ndikimi i dëshiruar i bursës së re dhe sfida e saj është e ngjashme si dy pika uji me Bursën e Tiranës: sigurimi i produkteve që do jenë objekt tregtimi në të. Patjetër që realitetet janë shumë të ndryshme, pasi sot nuk ka asnjë shans për t’u lidhur me privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, ndërkohë që tregu i letrave me vlerë të qeverisë (tregu dytësor) mendoj se do jetë tejet i vështirë të ofrohet nëpërmjet këtij institucioni, për shkak të dominimit thuajse absolut të sistemit bankar në këtë drejtim. Konkretisht, sfida e bursës së re mbeten letrat me vlerë të shoqërive tregtare private.”
Profesor Meka sqaron mënyrën e funksionimit të bursës, e cila nuk duhet parë si diçka shumë e ndërlikuar, ndërsa thotë se teknikisht në të mund të marrin pjesë edhe qytetarët, por hyrja dhe dalja e tyre në tregun e letrave me vlerë duhet bërë nëpërmjet shoqërive të brokerimit.
Sipas Zv/Rektorit të Universitetit Europian të Tiranës, duhet bërë një dallim shumë i qartë mes platformave online të cilat u janë shitur shqiptarëve si bursa dhe bursës ALSE, që është një institucion zyrtar i licencuar.
Më poshtë mund të lexoni intervistën e plotë me Prof.Asoc.Dr. Elvin Meka:
Bordi i AMF licensoi ditën e hënë bursën e parë private në Shqipëri, ALSE. Cila është rëndësia e krijimit të një burse në Shqipëri?
EM: Natyrisht që licencimi i një tregu të organizuar letrash me vlerë përben një lajm të mirë për gjithë sistemin financiar shqiptar, për më tepër që një strukturë e tillë funksionale, nëkuptimin e plotë të fjalës, i ka munguar tregut financiar shqiptar. Ekzistenca e një tregu të organizuar letrash me vlerë duhet kuptuar në rolin që i luan në drejtim të sigurimit të një burimi zyrtar alternativ financimi të jashtëm afatgjatë për shoqëritë tregtare, përtej kanaleve bankare dhe huas bankare. Prania e saj në sistemin financiar shihet dhe si një sigurues i konkurrencës për ofrimin e fondeve, midis institucioneve bankare dhe jo-banka, ndaj biznesit të madh. Thënë ndryshe, prania e saj në sistem mundëson që fondet afatgjata të mund të sigurohen me një kosto optimale, që në kushte të mungesës së bursës do të ishin domain vetëm i industrisë bankare.
Herë pas here ka pasur tentativa për të krijuar një bursë reale nëvendin tonë, siç mund të jetë rasti i bursës së Tiranës. Sa reale e shihni krijimin e bursës këtë herë dhe a do të japë ajo impaktin e dëshiruar në tregun shqiptar?
EM: Në fakt ky është licencimi i dytë në historinë e financave shqiptare, pas licencimit për herë të parë të Bursa e Tiranës SHA, në vitin 2002, si një subjekt i pavarur nga Banka e Shqipërisë. Duhet theksuar se koncepti i bursës si treg u themelua dhe vu në jetë në 2 maj 1996, kur për herë të parë në Shqipëri u hap Bursa e Tiranës si departament brenda Bankës së Shqipërisë. Sigurisht që krijimi i saj në vitin e largët 1996 dhe rithemelimi në 2002 për fat të keq nuk u mbështet deri në fund në misionin për të krijuar një treg real letrash me vlerë, e kjo më shumë për mungesë vullneti faktik qeveritar, për ta lidhur atë me procesin privatizimit dhe tregun e letrave me vlerë të qeverisë, çka do i jepte asaj momentin e duhur për të vendosur piketat e forta të një tregu funksional letrash me vlerë dhe kapitalesh në Shqipëri. Lidhur me sipërmarrjen e re mendoj se ndikimi i dëshiruar i bursë së re dhe sfida e saj është e ngjashme si dy pika uji me Bursën e Tiranës: sigurimi i produkteve që do jenë objekt tregtimi në të. Patjetër që realitetet janë shumë të ndryshme, pasi sot nuk ka asnjë shans për t’u lidhur me privatizimin e ndërmarrjeve shtetërore, ndërkohë që tregu i letrave me vlerë të qeverisë (tregu dytësor) mendoj se do jetë tejet i vështirë të ofrohet nëpërmjet këtij institucioni, për shkak të dominimit thuajse absolut të sistemit bankar në këtë drejtim. Konkretisht, sfida e bursës së re mbeten letrat me vlerë të shoqërive tregtare private. Për më tepër, duhet thënë se realiteti sotëm dhe stadi i zhvillimit të biznesit shqiptar është shumë më ndryshe sesa 10-15 vjet më parë, e kjo duhet vlerësuar si një mundësi dhe shans pozitiv për funksionimin e bursës së re.
E thënë në mënyrë të thjeshtë, si funksionon bursa dhe a është hapësirë e rezervuar vetëm për bizneset, apo edhe qytetarët që duan të investojnë kursimet e tyre mund të bëhen pjesë lirisht e saj?
EM: Bursa nuk duhet parë si diçka shumë e ndërlikuar, pasi në fund të fundit është veçse një treg, në të cilin shiten dhe blihen disa mallra specifikë, që quhen letra me vlerë, ku çmimi i tyre, si kudo, vendoset nga mekanizmi i kërkesës dhe ofertës. Në bursën e letrave me vlerë listohen (kuotohen) dhe tregtohen vetëm aksionet dhe letrat me vlerë të borxhit të shoqërive aksionare. Megjithatë, këto nuk janë të vetmet letra me vlerë, objekt tregtimi në to pasi në raste të caktuara mund të tregtohen dhe letrat me vlerë të qeverisë, instrumente derivate, si: kontratat e së ardhmes dhe opsionet, si dhe valutat. Për sa i përket qytetarëve, ata janë njëri prej grupeve të investuesve, së bashku me investuesit e mëdhenj institucionale, si: fondet e investimeve, fondet e pensioneve shoqëritë e sigurimeve, fondet mbrojtëse, etj. Teknikisht nuk ka ndonjë kufizim specifik për investimin e individëve në bursë, por kërkesat e tyre për investime apo dalje nga investimet duhet të kanalizohen përmes shoqërive komisionere (shoqërive të brokerimit), që janë të specializuara për këtë qëllim.
Shumë persona kanë investuar në bursat online, shpesh herë duke rënë pre edhe e mashtrimit. Ku dallojnë platformat online që u janë servirur deri më tani qytetarëve shqiptarë nga bursa ALSE që pritet të fillojë punë dhe a është i nevojshëm një lloj “edukimi financiar” paraprak për publikun?
EM: Ka disa dallime thelbësore në këtë drejtim. Së pari, ALSE nuk është një platformë tregtimi elektronike, si ato që u jepen akses investuesve shqiptarë. Këto të fundit nuk janë bursa, por platforma ndërmjetësimi, që u ofrohen personave të interesuar për të investuar nëpërmjet shoqërive komisionere të huaja dhe përfaqësuesve të tyre në Shqipëri, që në pjesën dërrmuese as nuk janë të licencuara për një veprimtari të tillë në vend. ALSE është një institucion zyrtar dhe i licencuar në të cilin mendohet dhe synohet të listohen letra me vlerë të shoqërive shqiptare, të cilat operojnë në Shqipëri. Lidhur me edukimin financiar mendoj se kjo do jetë një sfidë e përhershme jo vetëm në Shqipëri, por dhe botë. Në këtë drejtim Shqipëria ka shumë për të bërë. Personalisht mendoj se prania e një institucion dhe tregu të tillë do t’i shërbejë dhe edukimit financiar, pasi në këndvështrimin praktik publiku i gjerë dhe investuesi shqiptar do të kuptojë dhe shikojë realisht se si funksionon tregu i letrave me vlerë dhe si shiten e blihen instrumentet e ndryshme dhe se si përcaktohet çmimi i tyre, natyrisht duke marr një informacion të përshtatshëm dhe të plotë për këtë qëllim./Tiranapost.al