Aktualitet

Dyshohet se pësoi kolaps shëndetësor, shoferi që humbi jetën në autostradën Tiranë-Durrës nuk kishte asnjë shkelje rrugore

Shoferi 36-vjeçar Redion Hasimi, i cili humbi jetën në aksidentin e ndodhur në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, rezulton se nuk kishte regjistruar asnjë shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Aksidenti ndodhi teksa minibusi i linjës Berat-Tiranë po transportonte pasagjerë drejt kryeqytetit.

Sipas të dhënave paraprake të grupit hetimor, dyshohet se drejtuesi i mjetit ka pësuar një kolaps shëndetësor gjatë drejtimit. Pasagjerët kanë deklaruar se ai kishte shprehur shqetësime për gjendjen e tij shëndetësore pak para aksidentit.

Hetuesit kanë konstatuar se mjeti ka dalë në korsinë e emergjencës pa lënë shenja frenimi, çka përforcon dyshimet se shoferi nuk ka pasur mundësi të reagojë për shkak të gjendjes së tij. Përplasja me barrierën metalike ka qenë e fortë.

Nga verifikimet ka rezultuar se minibusi nuk kishte defekte teknike dhe kishte kryer kolaudimin rreth një muaj më parë.

Si pasojë e aksidentit humbi jetën drejtuesi i mjetit, ndërsa 12 pasagjerë mbetën të plagosur dhe u transportuan në spital. Sipas raportimeve, disa prej tyre ndodhen në gjendje të rëndë.