Stil jete

Harrojeni “Butter Yellow”, këtë verë kombinimi më trend është e kuqja domate me ngjyrën kumbull

Nëse kombinimi "e kuqe domate" dhe "ngjyrë kumbull" ju kujton një recetë sallate, nuk jeni të vetmit. Por këtë herë nuk bëhet fjalë për ushqimin, por për një nga kombinimet më të papritura dhe elegante të modës.

Në pamje të parë, këto dy ngjyra duken sikur nuk shkojnë me njëra-tjetrën. E kuqja domate është e fortë dhe tërheq menjëherë vëmendjen, ndërsa ngjyra kumbull është më e errët dhe zakonisht lidhet me stinët e ftohta. Megjithatë, kur kombinohen siç duhet, krijojnë një pamje moderne dhe shumë elegante.

Një nga shembujt që tërhoqi vëmendje ishte aktorja Zoey Deutch, e cila u fotografua në Nju Jork e veshur me një triko vjollcë të çelët dhe pantallona të kuqe, duke dëshmuar se ky kombinim funksionon.

Stilistët sugjerojnë që ngjyra kumbull të përdoret në pjesën e poshtme të veshjes, si pantallona apo fund, ndërsa e kuqja domate në pjesën e sipërme. Kjo krijon një ekuilibër, pasi ngjyra më e errët shërben si bazë, ndërsa e kuqja i jep veshjes energji dhe karakter.

Ky trend u pa fillimisht në pasarelat e modës. Koleksioni pranverë/verë 2026 i Prada-s prezantoi kombinime të së kuqes me nuanca lejla, ndërsa në sfilatën pranverë/verë 2027 të Celine për meshkuj, e kuqja domate dhe ngjyra kumbull u shfaqën sërish në kombinime elegante.

Pas disa sezonesh të dominuara nga nuancat pastel, si e verdha "Butter Yellow", jeshilja pistak dhe tonet e lehta, moda po kthehet drejt ngjyrave më të forta dhe kontrasteve më të guximshme. Kombinimi i së kuqes domate me ngjyrën kumbull është një nga tendencat që pritet të spikasë këtë sezon.