Stil jete

“Vajza më e bukur në botë”  i jep fund beqarisë

Modelja franceze Thylane Blondeau i ka dhënë fund beqarisë. Ajo është martuar në një ceremoni civile të zhvilluar të hënën në Paris, duke nisur një kapitull të ri në jetën e saj personale.

25-vjeçarja, e njohur që në fëmijëri si “vajza më e bukur në botë”, mbërriti në ceremoni me një makinë Porsche 356 Speedster ngjyrë argjendi, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj, aktori francez Ben Attal, i cili drejtonte automjetin i veshur me një kostum blu të errët.

Çifti shkëmbeu betimet në një ceremoni intime, në praninë e familjarëve dhe miqve më të afërt.

Dasma vjen vetëm pak muaj pasi Blondeau njoftoi fejesën gjatë një udhëtimi në Greqi, moment që e ndau edhe me ndjekësit e saj në rrjetet sociale. Ajo publikoi gjithashtu fotografi nga përgatitjet e dasmës, duke zbuluar disa detaje nga veshja e bardhë dhe stili i zgjedhur për ditën e madhe.

Thylane Blondeau e nisi karrierën në modeling në moshën 4-vjeçare dhe ka bashkëpunuar me disa nga shtëpitë më prestigjioze të modës në botë. Edhe sot ajo vijon të jetë aktive në industrinë e modës.