Aktualitet

Protestuesit i dërgojnë letër ambasadorëve me 5 kërkesa

Protestat e katër javëve të fundit që po zhvillohen kundër qeverisë dhe kryeministrit Rama kanë hyrë në një fazë të re.

Grupi Koordinator i protestuesve ka dërguar një letër drejtuar ambasadorëve dhe krerëve të misioneve të vendeve perëndimore në Shqipëri, ku i informojnë mbi situatën politike dhe kërkesat e tyre.

Pesë kërkesat kryesore të protestuesve

Grupi Koordinator ka paraqitur pesë kërkesa kryesore, të cilat i konsideron si shprehje të vullnetit të protestuesve:

Së pari, kërkohet dorëheqja e kryeministrit dhe e qeverisë aktuale, si hap i domosdoshëm për ndryshim politik.

Së dyti, propozohet krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor për të garantuar një proces të ri reformash.

Së treti, kërkohet një reformë e thellë kushtetuese që do të miratohej përmes referendumit, duke përfshirë ndryshime në Kodin Zgjedhor, rregullat për financimin e partive politike dhe kufizimin e mandateve të kryeministrit në maksimum dy.

Së katërti, kërkohen ndryshime në disa ligje, përfshirë shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura, ligjit për trashëgiminë kulturore, paketës së njohur si “Paketa e Maleve” dhe kuadrit për investimet strategjike.

Së pesti, propozohet hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, përmes konsultimeve me ekspertë të pavarur dhe shoqërinë civile.

Në përfundim të letrës, Grupi Koordinator u bën thirrje ambasadorëve të marrin në konsideratë seriozitetin e protestës dhe të mbështesin një zgjidhje paqësore, demokratike dhe gjithëpërfshirëse të situatës politike në vend. “Mbetemi në dispozicionin tuaj për çdo komunikim të mëtejshëm”, thuhet në letër.