Shëndeti

Shkencëtari britanik: Imuniteti i tufës është i pamundur për shkak të variantit “delta” të COVID

Shkencëtari britanik: Imuniteti i tufës është i pamundur

Arritja e imunitetit të tufës që në fazat e para të pandemisë COVID-19, shihej si një nga zgjidhjet e mundshme për daljen nga kriza sanitare, është e pamundur për shkak të përhapjes së variantit “delta”.

Ky ka qenë konkluzioni i arritur nga kreu i Kërkimeve për Vaksinat në Universitetin e Oksfordit, Andrew Pollard pas analizave laboratorike, gjetjet e të cilave janë publikuar ditën e sotme.

Pollard, i cili ka qenë një prej shkencëtarëve kryesorë që mori pjesë në zhvillimin e vaksinës AstraZeneca është shprehur se ndryshe me pandemitë e tjera ku vaksinimi i 95% të popullsisë ndal infeksionin, “varianti ‘delta’ është më potent, i transmetueshëm dhe mund të infektojë dhe të vaksinuarit.”

Pra, vaksinat do të kenë rol për parandalimin e përhapjes së virusit në ritmet e zakonshme, por gjithsesi nuk i ofron mbrojtje tërësore njerëzimit.

“Jemi në një situatë me këtë variant, ku imuniteti i tufës është i paarritshëm, sepse arrin të prekë edhe personat e vaksinuar. Pres që virusi të prodhojë një variant tjetër që mund të jetë edhe më agresiv mes popullsive të vaksinuara. Prandaj, është e kotë të pritet që do të arrihet imuniteti i tufës me marrjen e vaksinave”- ka shtuar ai përpara Komisionit Parlamentar të Shëndetit Publik në Mbretërinë e Bashkuar.

Gjithashtu, Pollard ka nënvizuar nevojën e vaksinimit edhe të fëmijëve, kryesisht për mbrojtjen e moshave më të mëdha, pasi ndonëse fëmijët nuk preken më së shumti nga simptomat ata mund të jenë transmetues.

Tiranapost.al