Juliana Pasha rrëfehet si rrallëherë: Sfida ime më e madhe, mosardhja në jetë e një fëmije

Për herë të parë, Juliana Pasha ka folur për një temë delikate dhe tepër personale. Në “Tani mund të Këndosh” me Ardit Gjebrean, Juli u pyet për sfidën më të madhe të jetës dhe tregoi se vazhdon ende ta përjetojë sfidën e mosardhjes në jetë të një fëmije.

“Sfida më e vështirë që vazhdon të jetë ende dhe në dashtë Zoti të kalojë, por edhe nëse nuk kalon nuk ka problem për ne, ka qenë mosardhja në jetë e një fëmije. Gjithsesi jeta është e gjatë, kemi akoma kohë përpara, do presim dhe disa vite. Nëse Zoti na bekon me një fëmijë do të jemi çifti më i lumtur, nëse jo opsionet janë të hapura”, tha Juli dhe më pas shtoi: “Unë mendoj që kur çifti është shumë i lidhur me njëri-tjetrin, ka dashuri, nëse dashuria thyhet si është fëmija si nuk është fëmija, nëse besimi thyhet dhe shumë gjëra në marrëdhënien e një çifti thyhen, ndodh dhe ndarja. Unë dhe Altini jemi një trup i vetëm. Në momentin që kemi bërë betimin tonë në kishë, kemi bërë një gjest shumë të bukur për ne të dy. Ishin dy qirinj që ne ndiznim një qiri të tretë. Ai qiri i tretë personifikonte perëndinë, këta dy qirinjtë ishim unë dhe Altini dhe ne e kemi ndërtuar marrëdhënien tonë si një trekëndësh, jemi ne të dy dhe kemi Zotin në mes që na mban fort, jetën, familjen, marrëdhënien e përditshme, punën, gjithçka. Unë besoj që marrëdhënia jonë do të shkojë derisa të mbyllim sytë të dy së bashku dhe nuk ndodhë asnjë gjë. Nëse Zoti do na bekojë me një fëmijë, faleminderit, nëse jo do jemi bashkë me njëri-tjetrin dhe dashtë Zoti do kemi Odesën pranë nëse do dojë të na bashkohet kurdo që të ketë dëshirë”.
Si asnjëherë tjetër ajo foli edhe për njohjen me bashkëshortin që kur ishte 19 vjeçe dhe dilemat kur zbuloi se ai vinte nga një divorc dhe kishte një vajzë, Odesën, me të cilën sot Juliana ka një marrëdhënie speciale.