Sociale

Debatet në rrjet për ylberin në "Gjuhën Shqipe", rasti tipik kur libri gjykohet edhe nga kopertina

Debatet në rrjet për ylberin në "Gjuhën Shqipe",

Libri nuk gjykohet nga kopertina, por ja që ky tekst është rasti ku libri po gjykohet edhe nga kopertina.

Libri i Gjuhës Shqipe të klasës së tretë është bërë temë diskutimi për shkak se në kopertinë shfaqet një ylber dhe një burrë me fustan. Këto janë interpretuar në rrjet si simbole që lidhen me homoseksualitetin dhe promovimin e këtij orientimi seksual.

Ky është debati më i madh që ka ndarë sot Amerikën dhe vendet e zhvilluara.

I pari që bëri një status në rrjete sociale ishte deputeti Tritan Shehu që duket se fajëson qeverinë.

"Rregjim, qe tenton te deformoje edhe femijet!

Kopertina e tekstit zyrtar te “Gjuha Shqipe” per femijet, eshte nje insult cinik mbi femijet, zhvillimin, te ardhmen e vizionin e tyre per jeten dhe Familjen.

Ne nje tekst te tille, qe do te nderohej me figurat e Rilindasve tane, paraqitje grafike te etapave madhore te gjuhes shqipe si Kongresi i Manastirit etj, behet nje provokacion i rende ndaj “Gjuhes” e nxenesve te vegjel te saj.

Nje kopertine ndesh dhe me principet edukative te femijeve, qe kerkon te influencoje keq ne rrugen e jetes duke e deformuar ate e krijuar konfuzion.

Nje femije duket aty e mbi ate nje “burre” me mjeker i veshur me fustan ngjyrash “ylberi”, duke kercyer zbathur si grua!!!

Ketu nuk kemi te bejme me rastesi, por me nje strategji te rregjimit, te rrezikeshme Gender per orientimin seksual qe ne moshen e re feminore", shkruan Shehu ndër të tjera.

Gjykimi i tij është përkrahur nga komentues të ndryshëm dhe personazhe të tjerë publikë kanë bërë thirrje për të mos e pranuar këtë tekst.

Pas zhurmës në rrjet, një reagim publik e ka bërë edhe shtëpia botuese "Albas" që sqaron pse është përdorur ylberi dhe çdo element tjetër dhe e quan keqinterpretim të gjithë këtë histori.

"Është viti i tetë që teksti “Gjuha shqipe 3” përdoret në shkollë dhe asnjë prind, mësues apo fëmijë nuk është shqetësuar nga kopertina e tij.

Ylberi është simbol fëminor dhe që në parashkollor fëmijët mësojnë ndarjen e ngjyrave, por dhe simboli i një dukurie aq të mrekullueshme të natyrës. Gjithashtu, përdoret edhe si simbol i ngjyrave të ndryshme të lëkurës, me anë të të cilit u shpjegohet fëmijëve se jemi të gjithë të veçantë dhe diskriminimi racor është shumë i gabuar. (Ka pjesë leximi për këtë temë).

Sa për figurën e magjistarit në kopertinë (dhe magjistarët njihen për pelerinat e tyre ngjyra-ngjyra), kjo ka lidhje me një poezi, ku fëmija u lutet të gjithë magjistarëve të botës t’i falin një shkop magjik, me të cilin ai do të zhdukë lotët e vogëlushit të varfër, që ta gëzojë atë e t’ia mbushë jetën me ngjyra.

Interpretimet tendencioze dhe diskriminuese, sa më shumë përhapen në rrjete sociale dhe në medie, aq më shumë thellojnë krizën që po kalojmë si shoqëri duke dëmtuar shëndetin mendor të fëmijëve.

P.S Argumentet tona janë lehtësisht të verifikueshme me gjithë përmbajtjen e librit", shkruhet në deklaratën e Albas postuar në Portali Shkollor.

Debatet në rrjet për ylberin në "Gjuhën Shqipe",

Debatet në rrjet për ylberin në "Gjuhën Shqipe",