SPORT

Kampionia e peshëngritjes Evangjelia Veli: Nuk jetoj në Shqipëri por vendi ka detyrime ndaj meje! Ende s’më kanë dhënë shpërblimin

Kampionia e peshëngritjes Evangjelia Veli: Nuk jetoj në Shqipëri

Peshëngritësja Evangjelia Veli, e cila ditën e dielë fitoi kampionatin Europian deri në 55 kg ka ngritur një problem në lidhje me sportistët që jetojnë jashtë shtetit dhe përfaqësojnë Shqipërinë në kampionatet botërore dhe Europiane. Ajo shprehet se shpenzimet e saj nuk janë mbuluar, madje ende nuk ka marrë shpërblimin që i takon nga vendi i katërt që u rendit në botërorin e peshëngrites pasi jeton jashtë Shqipërisë. Teksa e quan të padrejtë këtë fakt, peshëngritësja apelon që kjo gjë të rregullohet .

“Unë personalisht shpërblimin që më takon nga vendi i katërt në botëror akoma nuk e kam marrë. Ishte një kosto e madhe për mua sepse nuk kisha anët financiare që të përgatitesha dhe nëse nuk do të kisha familjen time që më ka ndihmuar, nuk do të kisha këtë rezultat. Nuk e di se kujt i takon ta zgjidhi, por duhet të zgjidhet problem, me sigurimet e sportistëve sepse nuk kemi sigurime. Unë jam vrarë gjatë përgatitjes time për në botëror edhe të gjitha shpenzimet që kisha për operimet që kam bërë në këmbë, i kam mbuluar vetë, nuk kam patur mbështetjen e askujt. Unë nuk banoj në Shqipëri dhe nuk mund të mbulojnë ato shpenzime që unë bëj, diçka që nuk është fare e drejtë. Në fund fare nuk ka rëndësi ku jetoj unë, Unë përfaqësoj Shqipërinë. Unë medaljet i kam sjellë në Shqipëri, është dëgjuar himni shqiptar të dielën në Tiranë”, u shpreh Evangjelia Veli për Euroneës.