E tashmja është vajzë!

Vite më parë, saktësisht 22 vjet, kam nisur të punoj në një nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave. Shqipëria e 2004-ës nuk ishte vendi më mikpritës për këtë angazhim, e meqë nuk dua t’i kthehem të shkuarës, e as të flas shumë keq… thjesht po them se ishte një nga ato përvoja ku unë hyj, shpesh, për të kuptuar sesi gjërat nuk duhen bërë. 😉
Për shumë e shumë vite, edukimi gjinor e angazhimi i vajzave dhe grave ka qenë pjesë e rëndësishme e angazhimit tim profesional, e për shumë kohë më ka shqetësuar diskutimi i mbetur te sasia e jo te cilësia, te modeli i grave “si burra” apo “kukulla” që na janë servirur…
E kam ende një bluzë nga Dokufest-i i disa viteve më parë ku shkruhet The Future is Female. Atëherë ngjante premtim, dëshirë apo thjesht slogan. Më duket se në Shqipërinë e këtij muaji të fundit mund ta ndryshojmë pak. E ardhmja nuk e dimë si do të jetë, por e tashmja është vajzë!
Nuk dua unë asesi të përziej qëndrimet e mia mbi protestën me atë që arrij të kuptoj nga komunikimi i saj. Profesionalisht dua të them se protestat nuk mbahen mend vetëm për atë që kërkojnë. Mënyra si komunikon është, padiskutim, diçka që e shenjon një veprim, e sigurisht edhe një protestë. Dhe Revolucioni i Flamingove, mbi të gjitha, është një revolucion komunikimi.
Po të kërkosh online, fotot më të përhapura janë ato të vajzave, jo sepse vajzat janë më shumë, por sepse, në mënyrën më të natyrshme të mundshme, ato po i japin tonin përditshmërisë së kësaj proteste.
Nuk është rastësi që imazhet më të forta të tij janë vajza e gra. Bëni një kalim në rrjetet sociale: një nënë që ushqen fëmijën me gji, e rrethuar nga policë në dukje indiferentë; një studente që mban pankartën sikur mban një ide; një influencere që refuzon të heshtë, edhe kur do ta kishte shumë më të lehtë të postonte diçka tjetër (ndonjë krem për shalët, p.sh., meqë jemi edhe në sezon plazhi!); një deputete (ndoshta më e reja në moshë) që tërhiqet nga partia në pushtet, e një tjetër që vazhdon të raportojë nga terreni; një vajzë që kujdeset të mos mbetet mbeturinë pas protestës; një tjetër që i bie daulles me një flamingo të pikturuar mbi faqe; një gjyshe që puth me dorë nga dritarja e shtëpisë protestuesit që i kalojnë poshtë; një tjetër që organizon, fotografon, shpërndan, bind. Njëra ngjitet mbi shkallën si podium, tjetra hap kutinë e bojërave në këndin e kushtuar fëmijëve në këtë protestë…
Ka një gjë që i bashkon të gjitha këto gra e vajza. Ato nuk po bëjnë zhurmë të panevojshme, as po përpiqen të bëhen "si burrat". Ato nuk po kërkojnë të marrin një rol që s’është i tyre; ato janë kaq të pranishme e marrin kaq shumë vëmendje, pikërisht duke qenë ato që janë.
Dhe kjo është, për mua, ndoshta gjëja më interesante që po ndodh.
E vuajmë secila prej nesh përpjekjen për emancipim në Shqipëri. Shpeshherë vetë gratë, e aq më shumë burrat, na e matin me kritere të çuditshme. Sa të guximshme jemi kur vishemi, sa të lira dukemi, sa fëmijë kemi, sa punë bëjmë, sa lekë fitojmë, sa shumë e zëmë ekranin… Media tradicionale, me shumë pak përjashtime, promovon më tepër dukjen sesa përmbajtjen. Sasinë e vëmendjes, jo cilësinë e ndikimit. Politika gjithashtu.
Ndërkohë, larg studiove televizive, grupeve parlamentare, tribunave publike, mesa duket po ndodhte diçka shumë më e rëndësishme. Një brez vajzash po rritej ndryshe. Mbase ndodhi në heshtje, ndërsa ne vazhdonim të numëronim kuota, ekrane dhe stereotipe. Mbase familjet e bënë këtë emancipim, në mënyrën sesi i edukuan fëmijët e tyre. Mesa duket, emancipimi i vajzave shqiptare nuk ndodhi ashtu si ne mendonim se po ndodhte, apo si u trembëm se e kishin bastarduar...
Dhe tani ky brez ka dalë në shesh e, në këto 27 ditë, po na tregon një mënyrë tjetër për të qenë qytetar. Vajzat aty po na tregojnë se empatia nuk është naivitet, kujdesi nuk është dobësi, e se të kesh kureshtje për estetikën personale, nuk do të thotë se je sipërfaqësore. Ato po i sjellin hapësirës publike vlera të jashtëzakonshme për të mirën e përbashkët, po aq natyrale për secilën prej tyre: bashkëpunimin, kreativitetin, ndjeshmërinë në vend të indiferencës dhe këmbënguljen në vend të agresivitetit.
Dhe ndoshta ky emancipim nuk ka më nevojë të shpjegohet; thjesht mjafton ta dallosh teksa ecën në rrugë e, duke mbajtur një flamingo në dorë, po na tregon se ndonjëherë revolucioni nuk ka fytyrën e zemërimit, por atë të një vajze.