Aktualitet

Dhunimi i 17-vjeçares në Fier, familja e 15-vjeçares: Vajza ka probleme të shëndetit mendor

Prindërit e njërës prej 15-vjeçareve të përfshira në dhunimin e një 17-vjeçareje në Fier kanë reaguar publikisht, duke deklaruar se për ngjarjen u informuan fillimisht përmes mediave dhe më pas u shoqëruan në polici për të dhënë dëshminë e tyre. Me lot në sy, nëna e të miturës i kërkoi falje publike vajzës së dhunuar dhe familjes së saj, duke shprehur keqardhje të thellë për atë që ndodhi.

Sipas prindërve, vajza e tyre është diagnostikuar prej rreth tre muajsh me probleme të shëndetit mendor dhe kishte shfaqur edhe më herët episode agresiviteti. Ata thanë se prej kohësh kishin kërkuar ndihmë pranë institucioneve për trajtimin e saj, por nuk kishin marrë mbështetjen e nevojshme.

Familja apelon që institucionet shtetërore të ndërhyjnë për t’i siguruar vajzës trajtim të specializuar mjekësor dhe psikologjik, duke theksuar se nuk synojnë të justifikojnë veprimet e saj, por kërkojnë që gjendja shëndetësore e të miturës të merret në konsideratë krahas përgjegjësisë ligjore për ngjarjen.