Aktualitet

Tre adoleshente dhunojnë 17-vjeçaren në Fier, videoja e publikuar në rrjetet sociale që tronditi opinionin

Video nuk do publikohet nga tiranapost për arsye etike

Rasti i rëndë i dhunës ndaj një adoleshenteje në Fier ka tronditur opinionin publik, pasi pamjet e filmuara të agresionit u shpërndanë në rrjetet sociale, duke rikthyer në vëmendje fenomenin e dhunës dhe bullizmit mes të miturve.

Ngjarja ka ndodhur më 8 qershor 2026. Sipas hetimeve paraprake, një 17-vjeçare u thirr në një banesë nga disa bashkëmoshatare me pretendimin se do të sqaronin një konflikt. Brenda banesës, ajo u dhunua fizikisht nga dy vajza 15-vjeçare, ndërsa një 19-vjeçare ishte e pranishme dhe njëra prej tyre filmoi të gjithë episodin. Në video shihen goditje me shuplaka, grushte, tërheqje nga flokët dhe fyerje ndaj të miturës.

Familjarët kallëzuan rastin në polici pasi vajza u kthye në shtëpi e traumatizuar dhe me shenja dhune. Sipas dëshmive të fqinjëve, ajo ka përjetuar një tronditje të fortë psikologjike.

Policia ka bërë me dije se procedurat hetimore kishin nisur që në muajin qershor, ndërsa publikimi i videos e riktheu çështjen në qendër të vëmendjes publike. Tre vajzat janë proceduar sipas ligjit, ndërsa njëra prej tyre është arrestuar edhe për një çështje tjetër të dyshuar të dhunës në familje.

Ngjarja ka hapur një debat të gjerë mbi dhunën mes adoleshentëve, ndikimin e rrjeteve sociale në përhapjen e këtyre akteve dhe nevojën për ndërhyrje më të fortë të familjes, shkollës dhe institucioneve për të parandaluar raste të ngjashme.