Stil jete

Milioneri që tentoi të “kthejë pas moshën” diagnostikohet me një sëmundje të rrallë

Sipërmarrësi i teknologjisë Bryan Johnson, i njohur për investimet marramendëse në programe kundër plakjes, ka bërë të ditur se është diagnostikuar me gastrit autoimun, një sëmundje e rrallë dhe e pashërueshme.

Johnson, 48 vjeç, shpenzon rreth 2 milionë dollarë në vit për regjimin e tij ekstrem kundër plakjes. Ai zbuloi se analiza të shumta gjaku, një endoskopi dhe biopsitë e stomakut konfirmuan se sistemi i tij imunitar po sulmonte vetë mukozën e stomakut.

“Stomaku im po ha veten”, u shpreh ai.

Sipas Johnson, aktualisht nuk ekziston një kurë për këtë sëmundje. Trajtimi përqendrohet në menaxhimin e mungesave ushqyese, monitorimin e komplikacioneve dhe parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme.

Gastriti autoimun është një gjendje në të cilën sistemi imunitar sulmon qelizat e stomakut, duke shkaktuar inflamacion kronik dhe probleme të ndryshme shëndetësore me kalimin e kohës.