
Nga Manjola Lloja Bushati/
Protestën, që jeton sot ditën e saj të tridhjetë e pestë, personalisht po e shoh si një eksperiment të jashtëzakonshëm për shoqërinë tonë. Po përpiqem ta ndjek atë nga afër, sa herë më jepet mundësia, e shumë më rregullisht nga mediat, tradicionale e sociale.
Si një komunitet që tregon një kampionim që çdo sociolog në vendin tonë do ta kishte të vështirë ta arrinte me çdo formë sondazhi, vëzhgimi a focus grupi, njerëzit e angazhuar në të janë nga çdo grupmoshë, çdo përkatësi gjeografike, fetare, gjinore, partiake, sociale, ekonomike, të vendbanimit, të profesionit, gjithfarë individësh. Në të njëjtin shesh dallohen të rinj që flasin shumë dhe të tjerë që mezi thonë dy fjalë; në marshime ecin krah njëri-tjetrit të rinj e të moshuar. Disa komunikojnë me humor, të tjerë me ironi, të tjerë përshëndesin nga dritaret a me boritë e makinave. Ka njerëz që përpiqen të argumentojnë, ka të tjerë që bashkohen veç me praninë e tyre. Ka shumë që përpiqen të organizojnë e të tjerë që udhëtojnë nga afër e larg për t'u bashkuar.
Ka shumë që komunikojnë me art. Më lejoni të shpreh gjithë simpatinë time e mbështetjen e fortë për të rinjtë që po prodhojnë foto, video, grafika që, me thënë të drejtën, nuk i kemi parë kurrë më parë në morinë e përçapjeve për art të pavarur që na janë servirur. Unë mund të kem shtuar mbi 50-60 profile që ndjek në Instagram, me artistë, fotografë, videografë... big up for them!
Ka pastaj një grup (këta janë dobësia ime, edhe shpresa ime më e madhe), të cilët po analizojnë komunikimin. Ata që po e zhveshin nga tisi i ekskluzivitetit e madhështisë çdo "njeri të rëndësishëm" politik a mediatik në vend, e po i thonë me fjalë të thjeshta se froni ku ata kanë hipur është i bërë me fjalë boshe, teknika të vjetra, mendime të paargumentuara, po thjesht të mbrojtura nga njerëzit pa identitet, me të cilët ata kanë zgjedhur të rrethohen.
Njerëzit e protestës nuk ngjajnë me njëri-tjetrin. Nuk përpiqen as të ngjajnë. E pra, do t'ju ftoja ta vëzhgonit pak edhe në këtë drejtim këtë protestë; edhe ata që thërrasin për paqe, që u japin ujë policëve a u fshijnë fytyrën e mbuluar me miell, edhe ata që gjuajnë me vezë... Për mua larmia është një vlerë e jashtëzakonshme e saj... e ndoshta forca e saj, në fakt.
Përballë kësaj larmie, bie në sy edhe diçka tjetër. Njerëzit e politikës, analistët me a pa kostum në tryeza televizionesh, ku më shpesh ndryshohet skenografia sesa përpjekja për të vërtetën, përsërisin pafund të njëjtin refren. Komentet e akuzuara si të organizuara në faqet e Facebook-ut janë shpesh thjesht një mjerim për sytë e veshët... Edhe kur mund të ketë mendime të ndryshme brenda tij, mënyra si shprehet krijon përshtypjen e një mendimi të vetëm, të një gjuhe të vetme, të një reagimi të parashikueshëm... Nuk di si ia bëjnë të jenë kaq të mërzitshëm, edhe pa ide, edhe gati-gati naivë në përpjekjen e tyre për të mbuluar diellin me shoshë...
E në këtë përballje, më lind një pyetje që kam dëshirë ta ndaj me ju:
Cili model shoqërie është më afër së ardhmes? Ai që kërkon një zë të unifikuar, apo ai që pranon shumë zëra? Ai që e sheh ndryshimin si kërcënim, apo ai që e konsideron pasuri?
Duke shkruar për lirinë gati 180 vite më parë, John Stuart Mill shkruante se shkalla e individualitetit në një shoqëri është në përpjesëtim me gjenialitetin, forcën mendore dhe guximin moral që ajo përmban. Me fjalë të thjeshta, shoqëritë nuk ecin përpara kur të gjithë mendojnë njësoj, por kur u lënë vend njerëzve të jenë ndryshe. Komuniteti nuk bëhet më i fortë kur prodhon kopje të së njëjtës mendësi. Ai formohet më shumë kur krijon hapësirë që secili të sjellë diçka që tjetri nuk e ka. Për shumë kohë kemi menduar se për të qenë bashkë duhet të ngjajmë me njëri-tjetrin, se për të qenë të suksesshëm duhet të bëjmë si ai, apo ai tjetri. E kemi krijuar modele aq bajate, të cilët çuditërisht në banalitetin e tyre u bënë edhe super arrogantë... Por demokracitë e shëndetshme funksionojnë ndryshe. Ato nuk ndërtohen mbi ngjashmërinë, por mbi pranimin e dallimeve. Ne mund të kemi bindje, aftësi, mënyra komunikimi dhe histori të ndryshme, por prapë të ndajmë të njëjtën hapësirë publike dhe të njëjtin përgjegjësim qytetar.
Unë nuk e di ku do ta çojë shoqërinë shqiptare ky revolucion. Ajo që unë lexoj përmes saj (ndoshta unë jam shumë optimiste) është ideja se brezi i ri nuk kërkon të jetë identik. Nuk kërkon të përshtatet me një model të vetëm të të menduarit, të të folurit apo të të qenit, por të ketë të drejtën të jetë vetvetja dhe, njëkohësisht, pjesë e një komuniteti. Nuk di t'ju them sa më gëzon kjo risi. Nganjëherë mendoj se ndoshta ky është mesazhi më i rëndësishëm që të rinjtë po na japin sot, se askush nuk ka nevojë të heqë dorë nga vetja për t'u ndjerë pjesë e shoqërisë. E ardhmja ka nevojë për njerëz me guximin për të qenë të ndryshëm. Nëse ky është mesazhi që po na sjell ky brez, atëherë ndoshta eksperimenti më interesant nuk është protesta. Është shoqëria që mund të lindë prej saj.