Aktualitet

E kërcënuan se do ta vrisnin, familja e Artan Cukut nxjerr provat përse akuzon policinë

E kërcënuan se do ta vrisnin, familja e Artan Cukut nxjerr provat

Pas depozitimit në Gjykatën Administrative të padisë ndaj Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, familjarët e Artan Cukut, kryekomisarit të Vlorës, kanë nxjerrë provat.

Sipas “Abc News” në padinë, që është bërë nga gruaja e Cukut, Marjola Cuku, fëmijët dhe vëllezërit kërkohet dëmshpërblim nga paditësit për dëmin pasuror që u ka ardhur si rezultat i humbjes së jetës së familjarit të tyre, të ndjerit Artan Cuku për shkak të detyrës së tij, si ish drejtues i Policisë së Shtetit, në vlerën e cila do të llogaritet nga eksperti që do të caktohet nga gjykata.

Familja thotë se Cuku është vrarë për shkak të detyrës.

“Nisur nga rrethanat e sipërpërmendura, faktet që provohen nga provat shkresore që do të paraqesim në këtë proces, si dhe faktet e njohura botërisht, del në pah qartë që i ndjeri Artan Cuku është vrarë për shkak të detyrës së tij si pjesëtar dhe drejtues i policisë së shtetit, si dhe ka ardhur ‘midis të tjerash’ për shkak të veprimeve dhe mosveprimeve të paligjshme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe shtetit shqiptar në tërësi”.

Në padinë e ngritur nga familja thuhet se atentati ndaj Artan Cukut u porosit nga Bledar Jabelli, dhe u ndërmjetësua nga Kristaq Leci. Ngjarja mori shkak në 2012-ën kur policia e Vlorës që në atë kohë që drejtohej nga Artan Cuku njoftoi me një konferencë për media se kishte arrestuar Bledar Jambellin, i dyshuar për tre vrasje me pagesë të Amarildo Delaj, Shpëtim Muka dhe Ervis Shehut, vrasje të kryera përgjatë viteve 2006 -2012.

Familjarët thonë në dëshminë e tyre sipas të dhënave që vijnë nga punonjës të burgjeve të asaj kohe, prova të administruara nga grupi hetimor, kishin prova se Bledar Jambelli pas arrestimit shkruante në murin e dhomës dhe të korridoreve “Artan Cuku do të vras”.

 “Atentati ndaj Artan Cukut u porosit nga Bledar Jabelli, dhe u ndërmjetësua nga Kristaq Leci. Kjo ngjarje mori shkak në dhjetor të vitit 2012 kur policia e Vlorës që në atë kohë që drejtohej nga Artan Cuku njoftoi me një konferencë për media se kishte arrestuar Bledar Jambellin, i dyshuar për tre vrasje me pagesë të Amarildo Delaj, Shpëtim Muka dhe Ervis Shehut, vrasje të kryera përgjatë viteve 2006 -2012. Sipas të dhënave që vijnë nga punonjës të burgjeve të asaj kohe dhe prova të administruara nga grupi hetimor, Bledar Jambelli pas arrestimit shkruante në murin e dhomës dhe të korridoreve “Artan Cuku do të vras”. Organet ligjzbatuese të shtetit shqiptar në tërësi dhe policia e shtetit nuk morën asnjë masë për Mbrojtjen e jetës së Artan Cukut, ku fatkeqsisht ky kërcënim rezultoi fatal për jetën e tij”, thuhet ndër të tjera në padinë që familja ka ngritur kundër Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit.

Madje, në padi, familja akuzon se Artan Cuku u largua në mënyrë të paligjshme nga puna, nuk u rikthye dhe nuk u mbrojt, madje s’iu la as arma. Gjithashtu familja akuzon se është e qartë që vdekja ka ardhur midis të tjerash për shkak të heqjes së tij të paligjshme nga puna.

Kujtojmë se kryekomisari Artan Cuku u vra më 8 prill 2017, në hyrje të shtëpisë së tij në Tiranë, në rrugën e Kosovarëve. Ai u qëllua 7 herë me armë zjarri pistoletë.

Pas ngjarjes policia arrestoi Mikel Shallarin si vrasësin e kryekomisarit, i cili akualisht po vuan dënimin.  

Bledar Jambelli, i njohur edhe si Rikardo Muho ishte porositësi i vrasjes së Artan Cukut, i cili u arrestua në Greqi pas një aksioni të Interpol Tirana me Interpol Athinën u la sërish i lirë.

Mikel Shallari tregoi hetuesve se Jambelli kishte paguar për vrasjen e kryekomisarit pasi ishte arrestuar në 2012 nga Cuku, kohë kur mbante postin e Drejtorit të Policisë së Vlorës. Shallari gjithashtu ka thnënë se Jambelli pagoi 3 mijë euro për të vrarë Artan Cukun, ndërkohë që 22 mijë euro do t’ia jepte pas kryerjes së vrasjes.