
European Broadcasting Union (EBU) ka miratuar udhëzime të reja për mënyrën se si do të realizohen transmetimet televizive të garave sportive. Shpesh, kamerat janë përqendruar më shumë te trupi i sportisteve sesa te performanca e tyre, ndaj EBU, organizata që bashkon televizionet dhe radiot publike kryesore të Evropës, ka vendosur të ndryshojë rregullat.
Udhëzimet e reja për regjisorët dhe operatorët janë të qarta: më pak pamje nga kënde të ulëta, më pak zmadhime të panevojshme në pjesë të caktuara të trupit dhe më pak pamje të ngadalësuara pa arsye. Në vend të tyre, fokusi duhet të jetë te lëvizjet teknike, gara dhe historia sportive e atleteve.
Dokumenti, i titulluar “Raising the Bar”, është hartuar edhe me kontributin e kampioneve si Holly Bradshaw, Ivana Spanović dhe Blanka Vlašić. Ato kanë treguar se mënyra se si janë filmuar në shumë raste ka nxitur komente seksiste dhe ngacmime në rrjetet sociale.
Qëllimi i këtyre ndryshimeve nuk është t’i bëjë transmetimet më pak spektakolare, por ta paraqesë sportin në mënyrën e duhur, duke vënë në qendër talentin, teknikën dhe rezultatet e sportisteve, e jo pamjen e tyre fizike.