Showbiz

Aktorja dhe regjisorja Olivia Wilde ka folur për herë të parë më gjerësisht për periudhën e vështirë kur ndarja e saj nga këngëtari Harry Styles u bë publike, pikërisht në kohën kur u publikua filmi i saj “Don’t Worry Darling” në vitin 2022.

Wilde dhe Styles patën një lidhje gati dyvjeçare, nga fundi i vitit 2020 deri në nëntor 2022. Pak para ndarjes së tyre, filmi psikologjik me protagonistë Florence Pugh dhe Harry Styles u përfshi në një valë polemikash, thashethemesh dhe debatesh që e zhvendosën vëmendjen nga vetë vepra.

Edhe pse filmi arriti sukses në arkëtime dhe u rendit në krye të box office, ai u shoqërua nga raportime për një konflikt mes Olivia Wilde dhe Florence Pugh, pretendime për mosmarrëveshje financiare dhe spekulime se marrëdhënia e ëilde me Styles kishte krijuar pakënaqësi në mesin e disa anëtarëve të ekipit.

Katër vite më vonë, në një intervistë në podcastin e Louis Theroux, Olivia Wilde i quajti këto zhvillime “skandale shumëdimensionale” dhe pranoi se ndikuan te mënyra si u prit filmi.

“Besoj se e dëmtoi filmin, sepse nuk patëm mundësinë të flisnim për atë që filmi përpiqej të thoshte. Ishte një keqardhje, sepse shumë njerëz punuan jashtëzakonisht shumë për ta realizuar atë film gjatë periudhës së COVID-it”, tha ajo.

Wilde kujtoi se filmi u realizua me një buxhet prej 30 milionë dollarësh dhe se puna e ekipit krijues bëri që ai të dukej si një prodhim shumë më i kushtueshëm.

“Por ne nuk patëm mundësinë të flisnim për këtë. Mendoj se kjo e dëmtoi filmin. Më dëmtoi edhe mua, sepse deri në atë moment isha shumë naive për mënyrën se si mund të funksionojë interneti dhe sa i pamëshirshëm mund të jetë ai”, u shpreh regjisorja.

Ajo shtoi se sot e sheh atë periudhë me më shumë distancë: “Është interesante të dëshmosh një tornado nga brenda”.

Ndërkohë, Wilde tha se rikthimi në ciklin e promovimit me filmin e saj të ri “The Invite” ka qenë një përvojë ndryshe dhe madje shëruese.

“Pyeta veten nëse do të ishte traumatizuese të rikthehesha në intervista pas asaj që ndodhi. Por bisedat për ‘The Invite’ kanë qenë shumë interesante dhe më është dhënë mundësia të flas për filmin. Ka qenë një lloj shërimi, sepse kuptova se jo çdo gjë është një vorbull negative”, tha ajo.

Komedia e re martesore, ku luajnë Olivia Wilde, Seth Rogen, Penelope Cruz dhe Edward Norton, ka marrë reagime pozitive dhe ka shkaktuar një garë të fortë mes kompanive filmike për të siguruar të drejtat e saj.

Një debat në ate kohë lidhej me pretendimet se Harry Styles ishte paguar shumë më tepër se Florence Pugh për rolet e tyre. Raportet pretendonin se Styles kishte marrë rreth 2.5 milionë dollarë, ndërsa Pugh rreth 700 mijë dollarë, por Olivia ëilde i ka mohuar këto pretendime.

“Nuk ka asnjë të vërtetë në këto akuza. Absurditeti i lajmeve të sajuara dhe reagimet që pasuan për një diferencë pagash që nuk ka ekzistuar, më shqetësuan shumë”, tha ajo për Variety.

ëilde theksoi se prej më shumë se 20 vitesh punon në industrinë e filmit dhe se barazia në pagesa ka qenë gjithmonë një çështje për të cilën ka luftuar, sidomos si regjisore.