FOTOT/ Si i zaptoi ish-deputeti i PD hapësirat e UBT për universitetin e tij privat, e askush nuk foli
Pavarësisht se PD-ja proteston sot kundër ndërtimit të shkollës së re në Kodër-Kamëz në një truall që ka qenë privat, një skandal është mbajtur i fshehtë këto ditë, për të cilin s’ka folur askush, as dhëndri i Berishës, Jamarbër Malltezi.
Një nga zaptuesit e vërtetë të territoreve të brendshëm të Universitetit Bujqësor të Tiranës është një ish-deputet i Partisë Demokratike, Gjok Uldedaj, i cili është edhe anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së. Por, edhe pse zaptimi ka ndodhur disa vite më parë, askush nuk e zë në gojë, as Rektori Bahri Musabelli, as pedagogët që sot kundërshtojnë ndërtimin e një shkolle të re, jashtë territorit të UBT-së.
Sikurse mund të shihni edhe nga fotot, hapësira e cila është brenda Universitetit Bujqësor u zaptua nga privati për ndërtimin e një Universiteti privat brenda kampusit, duke marrë hapësirat studentëve.
Në territoret që dikur kanë qenë në shërbim të studentëve të këtij universiteti, është ndërtuar Universiteti privat ''Sevasti & Parashqevi Qirjazi''.
Një fakt i tillë provohet lehtësisht edhe nga vetë ish-deputeti demokrat, i cili nis profilin e tij në Facebook shkruan se është president i Kolegjit Universitar ''Sevasti & Parashqevi Qirjazi''.
Në fotot e publikuara shihet edhe vetë ish-deputeti demokrat në ambientet e universitetit privat në Kodër Kamëz, brenda ambienteve të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Nga ana tjetër, gjatë viteve të tranzicionit, edhe konviktet u zaptuan duke i detyruar studentët e Universitetit Bujqësor që të gjejnë zgjidhje për strehim në banesa me qira në zonat përreth. Por, as për këtë asnjë nga pedagogët nuk ka folur dhe nuk flet as sot./Tiranapost