A është legjitime hakmarrja kur drejtësia nuk bën drejtësi?
Nga Javier Cercas/
“Pavarësia” titullohet Pavarësia në mënyrë që të gjithë të më pyesin se përse titullohet “Pavarësia”. Por edhe sepse kjo fjalë është mrekullisht polisemike dhe vdes nga kënaqësia për titujt që janë të paqartë ose keqkuptohen. Nuk e dimë se përse Shekspiri e ka quajtur “Siç ju pëlqen” komedinë e tij dhe Umberto Eco ka shkruar se titulli më i mirë i letërsisë botërore është “Tre musketerët”, sepse në të vërtetë musketerët janë katër (e si të mos mjaftonte kjo, më i rëndësishmi është i katërti, Dardanjani).
Por “Pavarësia” titullohet Pavarësia sepse jam katalan dhe në Katalonjë separatistët kanë përvetësuar të gjitha fjalët e bukura – pavarësi, demokraci, liri – duke i përmbysur. Për ta, pavarësi do të thotë ndarje, demokraci dhe liri dhunim i shtetit të së drejtës, i cili është garantuesi më i mirë i lirisë dhe i demokracisë. Nga kjo pikëpamje, “Pavarësia” është një titull luftarak: nëse do të marrësh në kontroll realitetin, më parë kontrollo gjuhën. Separatistët na kanë marrë gjuhën, ndaj duhet ta rifitojmë atë.
Por është edhe një titull provokues. Të gjitha kuptimet e fjalës pavarësi më duken pozitive, përveç kuptimit politik. Politikisht jam “i varur”. Besoj se sa më shumë varemi njëri nga tjetri, aq më mirë është për të gjithë. Prandaj e majta nuk është nacionaliste, por është internacionaliste. Prandaj unë votoj majtas.
Për sa mbetet, nëse detyrohem ta përmbledh në një frazë të vetme romanin “Pavarësia” do të thosha se është historia e një burri të quajtur Ricky Ramírez që e kërkon pavarësinë personale në mënyrën e gabuar, duke iu afruar elitës barcelonase që në fillim e përdor për arritjen e qëllimeve të saj, e pastaj e kthen në letër higjienike.
Në këtë kuptim, “Pavarësia” mund të lexohet si një metaforë e asaj që ndodhi në Katalonjë nga viti 2012. Në atë periudhë, elita katalanase vendosi t’i bënte presion të madh qeverisë në Madrid për të dalë nga kriza e thellë në të cilën ishim fundosur të gjithë dhe këtë e bëri duke kontribuar në nxjerrjen e mijëra njerëzve në shesh me premtimin e rremë për një Katalonjë të mrekullueshme dhe më në fund të lirë nga Madridi shtypës dhe hajdut.
Por kjo lëvizje u rrëshqiti nga duart, pasi për t’i nxjerrë njerëzit në shesh është e lehtë por për t’i rikthyer në shtëpi është shumë e vështirë, tashmë ajo elitë nuk e kontrollon më situatën dhe është e frikësuar, teksa shumë njerëz janë plot me urrejtje dhe të frustruar sepse asgjë prej atyre që u kishin thënë nuk u bë realitet, por edhe sepse e vërteta prodhon burra dhe gra të lira, ndërsa gënjeshtra prodhon skllevër.
Kjo është gjendja e situatës në Katalonjë. Kështu mund të lexohet edhe “Pavarësia”. Por duke qenë se letërsia është ajo që shndërron të veçantën në universale (“Pikturo fshatin tënd dhe do të pikturosh gjithë botën”, ka shkruar Tolstoji) duhet lexuar mbi të gjitha për atë që është: një mbrojtje e fuqishme kundër zotëruesve të parasë dhe padronëve të botës. A është “Pavarësia” një roman policesk?
Nuk e di. Borgesi thoshte se çdo roman është një roman policesk. Unë them se të gjithë romanet e mia janë të tillë, ashtu siç janë edhe të gjithë romanet që më pëlqejnë, nga “Don Kishoti” e më tej, të paktën në kuptimin që të gjitha përmbajnë një enigmë dhe dikush që përpiqet ta deshifrojë atë enigmë.
Është e vërtetë se te “Pavarësia” ashtu si në romanin paraardhës “Terra Alta”, protagonist është një polic që duhet të zgjidhë një çështje – këtu çështjen e shantazheve seksuale ndaj kryebashkiakes së Barcelonës – që i jep romanit një frymë të dukshme policeske. Sidoqoftë kjo mund të jetë, në rast se do të kujtoj një fakt të qartë, se në letërsi nuk ka zhanre madhore ose të vogla: vetëm forma madhore ose të vogla të përdorimit të zhanreve.
Komedia ka Aristofanin, Shekspirin apo Molierin, por edhe një thes të pavlefshëm. Por në të njëjtën mënyrë, narrativa policeske ka shumë shkrimtarë që janë harruar, por ka edhe Poe, Borgesin apo Sciascia. Përfundimisht ekzistojnë dy lloje romanesh: të mirët dhe të këqijtë. Gjithë pjesa tjetër është veçse fjalë.
Të shkruash një roman do të thotë të formulosh një pyetje të ndërlikuar në mënyrën më të ndërlikuar të mundshme. Pyetja për Pavarësinë mund të jetë kjo: A është legjitime hakmarrja kur drejtësia nuk bën drejtësi? Në realitet, përgjigja është e qartë: jo. Në trill ama, gjërat ndryshojnë. Letërsia para së gjithash është një kënaqësi, por edhe formë vetëdijeje. Si funksionon kjo vetëdije? Ku qëndron?
Edhe kjo përgjigje është e qartë. Për ta filluar, qëndron në detyrimin për t’i vënë në pikëpyetje siguritë tona më rrënjësore, për t’i vënë në dyshim, për t’u gjendur në situata moralisht apo politikisht apo ideologjikisht të huaja dhe të sikletshme, për të evituar kuptimin, solidarizimin apo empatinë me veprime apo persona që në jetën e përditshme i përçmojmë apo që na duken të neveritshëm, duke dalë nga skutat tona e duke nxitur të nxjerrim nga vetja atë anë të errët të pasioneve të dhunshme dhe dëshirave okulte që Georges Bataille i quajti "pjesa e mallkuar".
Letërsia zgjeron dijet tona për të tjerët duke na vendosur në vendin e Tjetrit, pa marrë parasysh sa e huaj, perverse apo imorale mund të jetë kjo, dhe zgjeron njohuritë tona për veten duke u përballur me atë Tjetrin e fshehtë, të zemëruar dhe të tmerrshëm që të gjithë kemi brenda: kështu na ndihmon për ta zotëruar atë, për të parandaluar që ai të na dominojë. Dhe për këtë arsye, megjithëse letërsia është një lojë, mbetet një lojë në të cilën luhet gjithçka.
Për pasojë letërsia është e nevojshme, nëse bëjmë paktin që të mos vetëpropozohet si e tillë. Në momentin që ofrohet për të qenë e nevojshme, shndërrohet në propagandë apo pedagogji dhe resht së qeni e nevojshme. Kështu resht së qeni edhe letërsi. Ose të paktën letërsi e mirë. Sepse romani krijon pyetje, por nuk duhet të japë përgjigje, të paktën në mënyrë të qartë, njëkuptimore dhe taksative. Përgjigjet e tij janë gjithmonë të paqarta, të ndërlikuara, shumëplanëshe, thellësisht ironike. Në thelb, përgjigja është vetë kërkimi i përgjigjes, vetë pyetja, vetë libri. Është legjitime hakmarrja kur drejtësia nuk bën drejtësi? Në “Pavarësia” përgjigja e vetme legjitime është ajo e lexuesit. Në fund të fundit, është ai që i plotëson romanet.
*Javier Cercas është ndër shkrimtarët më të lexuar bashkëkohorë spanjollë, gjithashtu edhe profesor i letërsisë në Universitetin e Gironës. Autor i 12 romaneve, në shqip është përkthyer “Mashtruesi”. Artikulli u përkthye në shqip nga Erjon Uka.
*Tiranapost.al.