Fëmijët e ushqyer me gji shfaqin më pak simptoma të ADHD-së

Fëmijët që ushqehen me gji gjatë gjashtë muajve të parë të jetës kanë më pak gjasa të shfaqin simptoma të çrregullimit të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD), sipas një studimi të ri të realizuar nga Universiteti i Bergenit në Norvegji.
Studiuesit analizuan të dhënat e më shumë se 37 mijë fëmijëve të lindur në Norvegji mes viteve 1999 dhe 2009, duke ndjekur zhvillimin e tyre në moshën 3, 5 dhe 8 vjeç.
Sipas rezultateve, sa më gjatë të ushqehej një fëmijë ekskluzivisht me gji, deri në gjashtë muaj, aq më të ulëta ishin simptomat e ADHD-së. Efekti u vu re edhe te fëmijët që ishin ushqyer pjesërisht me gji, por ishte më i theksuar tek ata që ishin ushqyer vetëm me qumësht gjiri.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se lidhja ishte më e fortë te vajzat sesa te djemtë.
Sipas ekspertëve, qumështi i gjirit përmban lëndë ushqyese, vitamina, probiotikë dhe përbërës të tjerë biologjikisht aktivë që mund të ndikojnë pozitivisht në zhvillimin e trurit gjatë muajve të parë të jetës.
Megjithatë, autorët theksojnë se ADHD ndikohet nga shumë faktorë, ku trashëgimia gjenetike mbetet një nga më të rëndësishmit. Për këtë arsye, studimi tregon vetëm një lidhje mes ushqyerjes me gji dhe simptomave të ADHD-së, por nuk provon se ushqyerja me gji është shkaku i drejtpërdrejtë i uljes së rrezikut.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe UNICEF rekomandojnë që foshnjat të ushqehen me gji gjatë gjashtë muajve të parë të jetës, pa ushqime apo lëngje të tjera, përfshirë edhe ujin.