Si të shkosh mirë me vjehrrën dhe me burrin? Leksione nga Ulpiana Lama
Ish-prezantuesja e “Pasdite në Top Channel”, e ftuar në emisionin e Rudina Magjistarit, veç angazhimeve të saj të reja profesionale në fushën diplomatike, si zv.ambasadore e Kosovës në Francë, ka rrëfyer edhe sekretet e një marrëdhënieje të gjatë me bashkëshortin dhe vjehrrën.
Siç Ulpiana ka treguar, para se ta njihte, vjehrra e saj i ka treguar se si e kishte imagjinuar nusen e djalit dhe kur e njohu, pa se ishte ashtu siç e kishte dëshiruar të ishte. Ndoshta mund të jetë ky themeli i një marrëdhënieje të mirë mes atyre të dyjave.
Por edhe toleranca, tregon Ulpiana e po ashtu edhe Sofia, vjehrra e saj. Ato ia respektojnë kufijtë njëra-tjetrës dhe tregohen tolerante. “Unë ia di të metat vetes sime, tregon Ulpina, dhe u jam mirënjohëse vjehrrit dhe vjehrrës sime që më kanë pranuar kështu”.
Çfarë tjetër? Ia vënë në dukje të metat.
Sofia tregon se Ulpiana nuk është shumë korrekte me oraret, ndryshe nga natyra e saj. Por ajo ia vë gjithmonë në dukje nuses, duke i trokitur në derë sa herë që ajo nuk është treguar korrekte me orarin.
Po ka edhe një sekret tjetër. Ulpiana në rolin e nuses, di si ta bëjë për vete vjehrrën. Ia bën qejfin duke i vlerësuar gatimet.
“Më merr në telefon sa herë që vjen në Tiranë dhe më thotë që t’i përgatis supën e saj të preferuar”, tregon Sofia gjatë një paraditeje për kafe me nusen e saj dhe krushkën, mamanë e Ulpianës.
Po ç’rëndësi do kishte marrëdhënia me vjehrrën, pa një raport të mirë me atë që i ka lidhur ato të dyja? Marrëdhënien gjithashtu tolerante me bashkëshortin e saj, Ulpiana e ilustron me angazhimin e saj të fundit, që e ka detyruar të bëjë gati valixhet drejt Francës. “Nuk dua ta kushtëzoj. Është zgjedhje e tij nëse do vijë me mua apo do vazhdojë impenjimet e tij, sepse unë e di se sa e rëndësishme është puna për Ardianin”, thotë Ulpiana duke treguar me këtë rast edhe çelësin e sekretit të një marrëdhënieje shumë të gjatë prej 19 vitesh: “Një martesë nuk vuan nga mungesa e pasionit, vuan nga mungesa e miqësisë”.
E thënë nga një grua që tamam sot mbush 45 vjeç dhe ditur të mbajë fort një martesë të gjatë edhe pa pasur në mes një fëmijë, duhet të jetë vërtet një strategji e suksesshme.
